Këtë fundjavë, pishina olimpike e Durrësit ishte skena e Kampionatit Kombëtar të Notit, ku ekipi i Teutës rikonfirmoi edhe një herë statusin e tij si kampion kombëtar për të rritur, duke dëshmuar dominimin e tij në këtë sport.

Nën drejtimin e trajnerit Gjergj Ngresi dhe Jurgen Fici, Teuta jo vetëm që siguroi titullin e ekipit kampion, por edhe shkëlqeu në kategori të ndryshme. Reidi Resuli u shpall sportisti më i mirë për meshkuj si në kategorinë e të rinjve, ashtu edhe të të rriturve, duke treguar një performancë të shkëlqyer gjatë gjithë garave. Për femra, Stela Gjoka u dallua si notarja më e mirë e kampionatit, duke triumfuar si në kategorinë e të rejave, ashtu edhe të të rriturave.
Një tjetër emër i spikatur ishte Azret Delani, vetëm 14 vjeç, i cili u vlerësua si notari më i mirë në këtë grupmoshë, duke premtuar shumë për të ardhmen e tij në sportin e notit.
Ky kampionat rikonfirmoi edhe një herë fuqinë dhe përkushtimin e ekipit Teuta, duke i dhënë qytetit krenarinë e një skuadre fituese që vazhdon të shkëlqejë në arenën kombëtare.
©️zërionline


