Një 56-vjeçar, me precedentë penalë për krime kundër personit, është arrestuar në Durrës, pasi akuzohet për vjedhje të shumave të parave dhe bizhuterive nga banesa e një gruaje ku ishte punësuar për të ndrequr bravat.
Policia ka sekuestruar një pjesë të bizhuterive të vjedhura dhe një kopje çelësash, të gjetura në banesën e tij. Veprimet e shpejta hetimore të specialistëve të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës rezultuan në identifikimin dhe arrestimin e shtetasit Osman Sava, i cili akuzohet se ka hyrë disa herë në banesën e shtetases M. Gj., duke përdorur kopjen e çelësave që ai kishte bërë gjatë punës së tij si bravandreqës.
Vjedhja përfshinte bizhuteri me vlerë rreth 16,000 euro dhe shuma të konsiderueshme parash. Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia ka gjetur një pjesë të bizhuterive të vjedhura dhe kopjen e çelësave, së bashku me një celular, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
©️zërionline


