Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar kërkesën për gjykim të çështjes penale për vëllezërit Besjan Ramaj e Leonard Ramaj, si dhe Ardjan Malasi dhe ish-drejtuesen e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Hetimi dhe dënimet e mëparshme
Sipas akteve të dërguara nga autoritetet belge dhe hetimeve të kryera, rezulton se vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj janë dënuar më parë për vepra penale të lidhura me narkotikët në Belgjikë në vitin 2021, ndërsa Besjan Ramaj është dënuar për të njëjtat vepra edhe në Norvegji në vitin 2012. Veprimtaria e tyre e pastrimit të parave daton që prej vitit 2010 dhe përfshinte investime në pasuri të paluajtshme, kryerje të veprimeve fiktive për të justifikuar burimin e ligjshëm të të ardhurave, dhe lëshim të faturave fiktive.
Roli i Rajmonda Dashit dhe arrestimi
Rajmonda Dashi, ish-drejtuesja e Kadastrës së Durrësit, është përfshirë në aktivitetin kriminal pas vitit 2018, duke bashkëpunuar me Ramaj dhe Malasi. Roli i saj ka qenë në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë, jo të veçantë, për kryerjen e veprimeve që synonin fshehjen e origjinës së parave të paligjshme. Në kuadër të këtij hetimi, Dashi u arrestua nga SPAK në tetor të vitit të kaluar dhe u la nga gjykata në masën “arrest në shtëpi”.
Pasuritë e sekuestruara
Në vijim të hetimeve, janë sekuestruar disa pasuri që përfshijnë dymbëdhjetë apartamente në Fier, një dyqan, një ullishte në Mallakastër, katër apartamente në Tiranë, tre garazhe, një shoqëri tregtare dhe dy automjete.
©️zërionline


