Fuqia e ekonomisë ilire/ Zbulimi i rrallë arkeologjik në Shijak, dritare e re në historikun e kultivimit të ullirit dhe prodhimit të vajit. 

Date:

Share post:

Një zbulim i rrallë arkeologjik ka dalë në dritë në kodrën e Çallikëve, në Likesh të Shijakut, ku arkeologët kanë identifikuar mbetjet e një punishte vaji që i përket një vile romake të shekullit të II-të të erës sonë. Ky projekt, i zhvilluar nga Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Helsinkit, hedh dritë mbi aspekte të panjohura të jetës aristokrate dhe ekonomike në Iliri, duke zbuluar një histori që rrezaton nga thellësia e Antikitetit.

Arkeologia Brikena Shkodra, që drejton ekspeditën, thekson se ky zbulim shënon një moment kyç në historinë arkeologjike të zonës: 

“Ajo që kemi gjetur është një lidhje interesante e memories historike dhe aseteve ekonomike të këtij territori.” 

Sipas saj, struktura e zbuluar në kuadër të projektit, që synon njohjen e territorit përreth Durrësit, tregon për një vilë ku prodhohej vaj ulliri, një traditë e hershme e zonës që vjen deri në ditët tona. 

Ndërkaq tullat e gjetura në këtë vilë janë të njëjta dhe të ruajtura mirë, ndërsa skarcitetet e pranishme në to dëshmojnë se afër zonës ka pasur edhe një prodhim të mirëfilltë të tullave. 

Këto gjetje dëshmojnë për praninë e prodhuesve të fuqishëm në zonë ku kultivimi i ullirit dhe nxjerrja e vajit përbën një traditë të hershme që konfirmohet si shumë produktive në tokat përreth Durrësit.

Ky zbulim ofron dëshminë e parë fizike për aktivitetin e prodhuesve aristokratë në Durrës, duke forcuar statusin e këtij qyteti si një nga kolonitë më të mëdha romake në rajon.

Zbulimi nuk është i rastësishëm, sipas Shkodrës, pasi në pjesën lindore të Durrësit kemi ujësjellësin romak, që merrte ujë nga lumi Erzen dhe furnizonte koloninë e Durrësit, ndërsa në juglindje kalon rruga Egnatia. Dy investime infrastrukturore dhe inxhinierike madhore për Perandorinë Romake, duke dëshmuar rëndësinë strategjike të Durrësit në territorin e Ilirisë.

Në këtë zbulim u arrit dhe falë punës së bërë nga arkeologë e studiues të Durrësit, ku Shkodra vlerëson së pari profesor Halil Myrton që në vitet ’80 pati realizuar disa kërkime sipërfaqësore në zonë, rezultatet e të cilit ishin premtuese; si dhe intelektualët e zonës ku përmend “të ndjerin Agim Faja dhe mësuesi Mustafa Faja, vëllai i artistit që kanë dhënë informacione të rëndësishme për gjurmë arkeologjike”.

Ky zbulim, i pari i këtij lloji në zonë, përforcon statusin e Durrësit si një nga kolonitë më të mëdha romake në rajon dhe dëshmon për aktivitetin e fuqishëm ekonomik që ka lulëzuar aty që në lashtësi. Zbulimi i këtyre strukturave, që është i rrallë për Ilirinë e shek. II, përbën një mundësi të artë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonë duke ndërthurur agroturizmin me turizmin arkeologjik. 

Kodra e Çallikëve konsiderohet me një nëntokë të çmuar që pret të nxjerrë në dritë të tjera thesare, për të cilat duhet pritur mbështetja e institucioneve dhe vazhdimësia e gërmimeve arkeologjike.

Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Erion Veliaj sulmon Ramën nga qelia: Më çoi Toni Gogun me ultimatume, më kërkoi t’ia lë Bashkinë Arbër Hajdarit ose…

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në një reagim të minutave të fundit në rrjetet sociale, ka lëshuar akuza...

VIDEO E RËNDË/ Trotuari si skenë tragjedie, Edmonda Barbullushi humbi jetën e përplasur nga makina

Trotuari, hapësira ku këmbësorët duhet të ndihen të sigurt, kthehet sërish në skenë tragjedie. Pamjet e rënda nga...

Ankimuan masën e“arrestit në shtëpi”, shtyhet seanca për dosjen Agasi në Apelin e GJKKO-së

Është shtyrë seanca gjyqësore në Apelin e Posaçëm për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e...

SMS mashtruese në emër të bankave! Policia paralajmëron qytetarët: Mos klikoni në linke, rrezikoni paratë në llogari

Policia e Shtetit ka paralajmëruar këtë të hënë për qarkullimin e mesazheve mashtruese që u dërgohen qytetarëve në...