Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar publikun se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka nisur një hetim të menjëhershëm pas sinjalizimit nga Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) për tre ngarkesa mandarinash të kthyera mbrapsht për shkak të niveleve mbi normë të mbetjeve të pesticideve. Ngarkesat në fjalë janë eksportuar nga subjekte grumbulluese në qarqet e Beratit dhe Fierit.
Nga tre ngarkesat, dy janë kthyer tashmë në Shqipëri. Njëra prej tyre, pas mbërritjes, është asgjësuar nga fermerët në fshatrat Gorican (Bashkia Dimal) dhe Mursi (Bashkia Konispol). Ndërkohë, ngarkesa tjetër ndodhet aktualisht e bllokuar në subjektin grumbullues në Fier, ku pritet të kryhet procedura e asgjësimit në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Kjo ngarkesë nuk ishte e shoqëruar me një raport laboratorik, pasi sipas legjislacionit, analiza laboratorike nuk është detyrim i detyrueshëm për eksportuesit.
Ngarkesa e tretë, ende në kthim për në Shqipëri, gjithashtu nuk disponon një fletë analize për mbetjet e pesticideve.


Hetime dhe masa ndëshkuese
Për ngarkesën e parë, AKU ka marrë masa administrative ndaj subjektit eksportues në Berat duke e gjobitur dhe bllokuar aktivitetin e tij për shkeljen e legjislacionit në fuqi. Po ashtu, janë ndërmarrë masa për fermerët që kanë përdorur produkte të ndaluara për mbrojtjen e bimëve, të cilat janë jashtë listës së lejuar nga Ministria e Bujqësisë.
Ministria bën të ditur se lista e produkteve të lejuara për mbrojtjen e bimëve përditësohet rregullisht sipas standardeve të Bashkimit Europian. Çdo rast shkeljeje do të referohet pranë institucioneve ligjzbatuese për ndjekje të mëtejshme.
Në një deklaratë publike, Ministria e Bujqësisë dhe AKU kanë theksuar rëndësinë e respektimit të praktikave të mira bujqësore dhe përdorimit vetëm të produkteve të lejuara për mbrojtjen e bimëve. Fermerët dhe prodhuesit janë thirrur të përmbushin detyrimet ligjore dhe të sigurojnë prodhime të sigurta për konsumatorët vendas dhe tregjet ndërkombëtare, duke respektuar periudhat e karencës dhe duke bashkëpunuar me profesionistët e fushës.
Ky rast tregon nevojën për kontroll më rigoroz dhe ndërgjegjësimin e aktorëve të zinxhirit bujqësor për garantimin e sigurisë ushqimore, një prioritet për shëndetin e konsumatorëve dhe reputacionin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Përveç ngarkesave të eksportuara, një pjesë e mandarinave të prodhuara dhe tregtuara në vend mbetet jashtë kontrolleve zyrtare. Tregu vendas mbetet i pakontrolluar. Mungesa e analizave laboratorike dhe përdorimi i pesticideve të ndaluara nga fermerët përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve. Autoritetet e ushqimit duhet të shtojnë kontrollet dhe veprimtarinë për ndërgjegjësimin e prodhuesve mbi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore për të garantuar që produktet e tregtuara në tregun vendas të jenë të sigurta dhe cilësore.
©️zërionline


