Qeveria shqiptare vijon të neglizhojë financimin e arsimit, duke e ulur ndjeshëm buxhetin e dedikuar këtij sektori. Këtë fillimviti qe Qëndresa Qytetare që reagoi ndaj kësaj situate që përcjell një shqetësim social. Premtimi për alokimin e 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për arsimin, bërë gjatë protestave studentore të vitit 2018, ka mbetur vetëm në deklarata dhe postime në rrjetet sociale. Për vitin 2025, buxheti për arsimin parashikohet të jetë në kufijtë e 2.5% të PBB, ndërkohë që së fundmi është reduktuar edhe me 1 miliard euro.

Përballë kësaj situate, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka ngritur alarmin, duke e cilësuar Shqipërinë në një nevojë urgjente për përmirësimin e financimit të arsimit dhe për një shpërndarje më efikase të burimeve financiare.
Në një analizë të detajuar, UNESCO vëren se në vitin 2010, shpenzimet për arsimin zinin 3.5% të PBB-së, ndërsa në vitin 2021 ato ranë në 3.1%. Gjendja është përkeqësuar më tej vitet e fundit dhe për vitin 2025 pritet që financimi të bjerë nën 2.5% të PBB-së.

Reduktimi i buxhetit ka lidhje të drejtpërdrejtë me uljen e numrit të nxënësve, një fenomen i shkaktuar nga eksodi masiv. Në një dekadë, Shqipëria ka humbur mbi 254 mijë nxënës dhe studentë. Kjo situatë ka pasur një ndikim negativ edhe në cilësinë e arsimit, ku sipas raporteve të PISA, shkollat shqiptare po nxjerrin një numër të lartë analfabetësh funksionalë.
Organizata “Qëndresa Qytetare” apelon për kthimin e vëmendjes tek arsimi, duke e cilësuar atë si shtyllën kryesore të një shoqërie të shëndetshme dhe të zhvilluar.
©️zërionline


