Një konflikt i gjatë për pronësinë e një prone në Romanat të Durrësit, që ka përfunduar në gjykatë dhe është nën hetim nga SPAK, po dhe nga Prokuroria e Durrësit, ka sjellë tensione të reja mes dy familjeve, Kapllani dhe Shaba. Konflikti është përshkallëzuar pas ndërhyrjes së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Durrës, për hapjen e një rruge alternative për banorët e zonës.

Rruga ekzistuese ndan e bashkon dy fshatrat Romanat dhe Bozanxhie dhe ende është funksionale. Prej dy ditësh mjetet e rënda të bashkisë kanë ndërhyrë në pronën e pretenduar të Ramazan Kapllanit për të hapur një rrugë paralel me atë ekzistuese, duke prerë dhe shumë rrënjë ullinj.



Autoritetet vendore pranojnë se rruga ekzistuese është në pronësi të Xheladin Shabës, i cili ka bllokuar kalimin për bashkëfshatarët. Për të zgjidhur këtë situatë, IMT ka ndërhyrë në një tjetër pjesë të tokës, duke hapur rrugën e re. Kjo ndërhyrje ka prekur tokën e pretenduar nga familja Kapllani, që denoncon për shkelje ligjore dhe abuzime nga ana e bashkisë Durrës duke e lidhur këtë dhe me faktin që ata njihen si familje me bindje të djathta politike.
Pretendimet e palëve
Familja Kapllani deklaron se toka u përket që prej viteve ’90 dhe ndodhet nën hetim për shkak të mbivendosjes me pronën e familjes Shaba. Sipas Ramazan dhe Vladimir Kapllanit, ata zotërojnë dokumente që vërtetojnë pronësinë dhe kanë ngritur padi ndaj Bashkisë Durrës dhe IMT-së për ndërhyrjen në pronën e tyre.


“Duan të na marrin tokën, të na grabisin, me zor. Kemi dokumente që vërtetojnë pronësinë tonë, por toka ndodhet edhe nën hetim në prokurorinë e Durrësit dhe SPAK për mbivendosje në rreth 1000 m2 dhe abuzime. Kjo është toka jonë që prej ndarjes së tokave në vitet ’90,” deklaroi Vladimir Kapllani që ka denoncuar, bashkë me të atin dhe xhaxhain, në SPAK kryetaren e bashkisë Emiriana Sako, kreun e IMT-së Dorjan Mema, Flamur Gjuzin etj.

Nga ana tjetër, Xheladin Shaba, kreu i familjes kundërshtare, deklaron se toka, përfshirë dhe rrugën ekzistuese, është fituar prej tij me regjistrim fillestar në vitin 2015 dhe zotëron të gjitha dokumentet ligjore. Ai i ka cilësuar pretendimet e Kapllanëve si mashtrime.
“Shteti, IMT po zbaton ligjin. Kjo tokë është fituar nga unë me regjistrim fillestar dhe i kam të gjitha dokumentet. Nëse pala tjetër ka dokumente, le t’i paraqesë dhe le ta marrë tokën. Por ata janë mashtrues,” tha Shaba.
Ndërhyrja e autoriteteve dhe reagimi i banorëve
Ndërhyrja e IMT-së, e mbështetur nga policia bashkiake, synoi hapjen e rrugës së re për banorët, pasi bllokimi i rrugës ekzistuese kishte krijuar vështirësi në lëvizjen e tyre. Sipas IMT-së, toka ku u hap rruga është pronë shtetërore, bazuar në të dhënat e Kadastrës. Megjithatë, familja Kapllani e ka kundërshtuar këtë veprim, duke argumentuar se toka është e tyre dhe mbi të gjitha është ende objekt hetimi nga SPAK dhe derisa drejtësia të vendosë mbi të nuk duhet të ndërhyhet duke e cenuar pronën.
Banorët e zonës janë ndarë në lidhje me këtë çështje. Disa mbështesin hapjen e rrugës së re, duke e parë si të nevojshme për qarkullimin, ndërsa të tjerë kritikojnë pretendimet për pronësinë private të rrugës ekzistuese.

Një prej tyre, Sami Shaba, e cilësoi situatën absurde.
“Kjo rrugë ka ekzistuar qëkur. Unë kam ardhur këtu nga viti 1996 dhe ne kemi kaluar gjithmonë këtu. Tani thuhet se është pronë private. Kjo është absurde, pasi na bie të marrim helikopter për të kaluar. E kujt është kjo toka këtej e di qeveria, por ky që e kam dhe kushëri e mori rrugën, ndaj i kërkuam bashkisë rrugë dhe të zgjidhë situatën.”
Një çështje e ndërlikuar dhe e pazgjidhur
Konflikti mes familjeve dhe ndërhyrjet e autoriteteve reflektojnë problematikat e regjistrimit të pronave dhe mbivendosjeve në vend. Çështja po hetohet nga SPAK, ndërsa dy familjet dhe banorët e zonës përballen me pasojat e një konflikti që ka krijuar tensione të vazhdueshme.
Familja Kapllani apelon për zbardhjen e situatës dhe respektimin e procesit hetimor, ndërsa institucionet lokale theksojnë se veprimet e tyre janë kryer për interes publik. Përplasjet mes palëve mbeten të hapura dhe zgjidhja e konfliktit duket ende larg.
V. Q.
©️zërionline


