Brenda 24 orëve, autoritetet policore kanë finalizuar një tjetër operacion kundër kontrabandës së naftës në sasi të mëdha, duke sekuestruar 400,000 litra karburant të dyshuar dhe një anije ku kjo sasi ishte fshehur.


Operacioni, i koduar “Ari i Zi 2”, përfshiu disa institucione, mes të cilave Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, Antikontrabanda, Guardia di Finanza Durrës dhe Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës.
Në pranga përfunduan 6 shtetas, ndërsa 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit janë vënë nën hetim. Ndër të arrestuarit janë kapiteni i anijes dhe disa pjesëtarë të ekuipazhit, ndërsa dy organizatorët e dyshuar janë shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë Mohammed Sallit, 56 vjeç, kapiten i anijes; Wissan Broud, 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë; Hassan Broud, 47 vjeç, shef i inxhinierëve; Sami Shanta, 25 vjeç, shef i ofiçinës; Faez Ismaeil, 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës; Nedio Mejdani, 34 vjeç, oficer i parë i anijes.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim dy organizatorët e dyshuar, Juxhin Koka, 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe Serxha Sula, 32 vjeç, banues në Durrës. Policia po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Metoda e kontrabandës dhe sekuestrimet
Nga kontrolli i kryer në anije, në balastrat që përdoren për balancimin e mjetit, u gjetën të fshehura 400,000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërsa vazhdon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Operacioni “Ari i Zi” vijon
Një ditë më parë, në kuadër të operacionit të parë “Ari i Zi”, u sekuestruan 670,000 litra naftë e kontrabanduar nga Tunizia në një tjetër anije dhe u identifikuan 10 persona të përfshirë. Ndërkohë, autoritetet po punojnë për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim në këtë operacion: Eduart Skora dhe Florian Biba.
Autoritetet theksojnë se po intensifikojnë veprimet për të goditur çdo përpjekje për kontrabandimin e sasive të mëdha të naftës përmes porteve shqiptare.
©️zërionline


