Në një ceremoni të veçantë të enjten, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe Nën-Kolonel Josh Magnusson nga Zyra e Bashkëpunimit për Mbrojtjen dorëzuan në emër të Qeverisë së SHBA një skaner CT (tomografi e kompjutuar) për Spitalin Rajonal të Durrësit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.

Skaneri i ri, me vlerë 450,000 dollarë, pritet të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet e diagnostikimit dhe trajtimit për rreth 20,000 pacientë që mbështeten çdo vit tek ky spital për shërbime shëndetësore.
Programi i Ndihmës Humanitare i Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen, në kuadrin e Komandës Europiane të SHBA, nisi konsultimet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që në vitin 2022, duke adresuar nevojën e madhe të spitalit për pajisje diagnostikuese. Pasi instalimi i pajisjes u përfundua këtë muaj, personeli i spitalit mori trajnimin e nevojshëm për përdorimin e saj.
Kjo pajisje e re, simbol i bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA, dëshmon se forca e Aleancës së NATO-s shtrihet përtej mbrojtjes, duke ndihmuar edhe në sektorë jetikë si shëndetësia.
Që prej vitit 1999, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA ka investuar mbi 14 milionë dollarë për të forcuar kapacitetet në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe emergjencave në Shqipëri. Kjo dhuratë e fundit për Spitalin Rajonal të Durrësit është një tjetër hap drejt përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët durrsakë.
©️zërionline


