Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar lidhur me ngjarjen e oficerit të Policisë Azbi Spahiu, i cili tentoi të vetëvritej më 15 janar, duke u hedhur nga kati i 11-të i një pallati në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Sipas AMP-së, megjithëse nuk ka pasur ankesa apo pretendime zyrtare për këtë rast, strukturat e saj kanë kryer verifikime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Përfaqësuesit e AMP-së janë paraqitur në Spitalin e Traumës për të ndjekur gjendjen shëndetësore të punonjësit të policisë dhe për të mbledhur çdo pretendim të mundshëm lidhur me presion apo ndikim të paligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës. Në deklaratën e tij me shkrim, Azbi Spahiu ka pohuar se nuk ka pasur asnjë formë presioni, shantazhi apo ndikimi të paligjshëm që lidhet me detyrën e tij.
Mësohet se oficeri i Policisë Rrugore, Azbi Spahiu, ndaloi më 11 janar të riun Martin Mane, djalin e Samir Manes, pas një aksidenti pranë Parlamentit.
Pas kësaj, kur Prokuroria e cilësoi arrestimin si të paligjshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë hoqi përgjegjësinë nga vetja dhe e referoi Spahiun në AMP. Ky veprim, sipas burimeve, mund të ketë shtuar trysninë ndaj oficerit 57-vjeçar, i cili pak ditë më vonë ndërmori aktin ekstrem.
AMP: Hetimet vazhdojnë
AMP ka deklaruar se verifikimet lidhur me këtë rast janë ende në vijim, ndërsa rrethanat që çuan në ngjarjen tragjike mbeten të paqarta. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi presionet e mundshme brenda Policisë së Shtetit dhe përgjegjësinë e drejtuesve të lartë.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen mbi transparencën dhe funksionimin e strukturave policore, duke theksuar nevojën për një hetim të plotë dhe të pavarur mbi rastin.
©️zërionline


