Situata e përmbytjeve në Durrës mbetet problematike, edhe pse reshjet kanë ndalur. Qindra banesa janë prekur nga uji, ndërsa shumë hektarë tokë bujqësore ndodhen ende nën ujë. Ekipet e emergjencës, përfshirë punonjës të ndërmarrjeve bashkiake, zjarrfikësit dhe mjetet e rënda, po punojnë në terren për të larguar ujin nga shtëpitë e banorëve.
Zonat më të goditura janë ish-Këneta, apo Durrësi i Ri, Shkozeti, Nishtulla dhe kryqëzimi pranë IEVP-së, përfshirë edhe vetë institucionin. Në total, rreth 300 banesa deklarohet zyrtarisht se janë dëmtuar, prej të cilave:
- 200 në Durrësin e Ri
- 60 në Shkozet dhe Plazh
- 20 në Sukth
- 10 në Katund të Ri
- 5 në Rrashbull
- Disa të tjera në zona të ndryshme të qytetit
Trafiku në akset kryesore është normalizuar, por rrugët dytësore në Durrësin e Ri, Shkozet, Plazh dhe Nishtullë vijojnë të kenë prani të lartë uji, duke krijuar vështirësi në qarkullim. Për vlerësimin e dëmeve dhe ndërhyrjet e nevojshme, janë angazhuar 10 grupe në terren, ndërsa të gjitha njësitë e emergjencës mbeten në gatishmëri, sipas nënkryetarit të bashkisë, Elio Jani.

Shumë banorë janë ndjerë të pashpresë, pasi nuk kanë mundur të marrin ndihmë gjatë natës. Katër të moshuar nga Sukthi, të evakuuar nga banesat e tyre, janë sistemuar në konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme natën e kaluar, por sot janë kthyer në banesat e tyre, sipas kreut të shtabit të Emergjencave Civile, prefektit të qarkut Emiljan Jani.

Shkozeti gjithashtu mbetet problematik
Në segmentin rrugor Mbikalimi i Shkozetit-Nishtulla, niveli i ujit mbetet i lartë, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve. Mbrojtja Civile e Forcave të Armatosura ndodhet në terren, por uji në disa rrugë dytësore ende nuk është tërhequr, duke krijuar vështirësi për nxjerrjen e ujit me pompa nga shtëpitë e banorëve të zonës.

©️zërionline


