“Dialog me ngjyrat”, Nisma në nderim të figurave të artit pamor në Durrës

Date:

Share post:

Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” ka ndërmarrë një iniciativë të re për të rikthyer në vëmendje figurat e shquara të artit figurativ durrsak dhe më gjerë. Aktiviteti i parë u zhvillua më 5 shkurt, në përkujtim të piktorit të njohur Agim Shami, i cili do të mbushte 83 vjeç. Me mbështetjen e Bashkisë Durrës, në sallën blu të saj, u organizua një veprimtari dedikuar këtij artisti të talentuar dhe të urtë.

Drejtoresha e Qendrës, piktorja Alketa Tragaj Myshketa, e cilësoi këtë iniciativë si një risi të rëndësishme për artin në Durrës. I ftuari i nderit, skulptori dhe piktori Nelo Llukaçi, bashkëkohës i Agim Shamit që nga fëmijëria, ndau histori të jetuara me të, duke theksuar se “artist nuk bëhesh, por lind.” Kjo frymë reflektohet edhe në veprat e Agim Shamit, të cilat janë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve të Durrësit.

Regjisori i njohur Haxhi Rama solli në vëmendje veprën e Agim Shamit që ndodhet në fondin e Galerisë Kombëtare dhe kujtoi se ai është vlerësuar me çmimin e dytë në nivel republike në vitet ’80 për pikturën “Më të fortë se Fontana”. Tematika e tij artistike pasqyron jetën e përditshme dhe emocione të ndjera e të natyrshme.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i jetës artistike të Agim Shamit u soll nga muzikanti Ermir Dizdari, i cili kujtoi kohën kur ai formësohej artistikisht në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Studimet e tij vijuan pas mësimeve të marra në studion e profesorit të njohur Sabri Tuçi, një figurë simbol e mësimdhënies së artit për breza të tërë artistësh durrsakë në vitet ‘50, ‘60 dhe ‘70.

Nderim për profesor Sabri Tuçin

Më 6 shkurt, aktiviteti vazhdoi me një diskutim të thelluar mbi skulptorin dhe profesorin Sabri Tuçi, në përkujtim të 109-vjetorit të lindjes së tij. Skulptori Idriz Balani, një nga nxënësit e tij, ndau momente të veçanta me profesorin dhe prezantoi një libër biografik kushtuar tij, ku ka mbledhur kujtime të ish-nxënësve.

Skulptori Nelo Llukaçi e përshkroi Sabri Tuçin si “një pemë që rriti degë të mbushura me fryte.” Gjatë aktivitetit u kujtuan edhe vuajtjet që ai përjetoi nga regjimi komunist, i cili e persekutoi dhe i konfiskoi veprat artistike. Skulptori Ibrahim Reçi ndihmoi në ruajtjen dhe mbrojtjen e disa prej tyre në shtëpinë e tij.

Regjisori Haxhi Rama solli në kujtesë homazhet e zhvilluara pas viteve ‘90 për aktorin e shquar Nikolin Xhoja dhe e lidhi këtë me bustin e tij, të krijuar nga profesor Tuçi, një artist i persekutuar duke nderuar një tjetër të tillë. Ndërkohë, shkrimtari Bashkim Hoxha ndau përvojën e tij në studion e profesor Tuçit, duke theksuar se ajo frymë artistike ka ndikuar edhe tek ata që më pas kanë ndjekur profesione të ndryshme, brenda dhe jashtë artit figurativ.

Veprat e skulptorit Sabri Tuçi ndodhen në fondin e Galerisë së Arteve të Durrësit, institucion të cilin ai drejtoi si drejtori i parë i saj. Një nga krijimet më të bukura të tij, portreti në mermer i bashkëshortes së tij Maria është në Galerinê Kombëtare të Arteve.

Vazhdimësia

Kjo iniciativë e re e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” synon të rikthejë Durrësin në vendin që i takon në fushën e artit figurativ. Me aktivitete të ngjashme në të ardhmen, qyteti pritet të bëhet një qendër e rëndësishme për promovimin e artistëve dhe veprave të tyre, duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe artistike.

R. Ll.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Zjarri në Mallakastër, digjen 15 hektarë me pisha; evakuohen 15 familje

Të paktën 15 hektarë sipërfaqe me pisha janë përfshirë nga flakët në fshatin Riban të Mallakastrës, ndërsa zjarri...

Sherri mes kompanive të Pacollit dhe Ademit për Aeroportin e Vlorës, Qeveria nis procedurën për anulimin e kontratës

Pas skadimit të të gjitha afateve kontraktuale dhe thellimit të konfliktit mes "Mabco Constructions" të Behgjet Pacollit dhe...

“I love Durrës”, simboli i ri në shëtitoren “Taulantia”

Një simbol i ri i është shtuar hapësirës publike të Durrësit, me synimin për të promovuar historinë, kulturën...

Fier/Përfshihet nga flakët një banesë, shpëtohen të moshuarit nga fqinjët

Një banesë dykatëshe është përfshirë nga flakët pasditen e së martës në fshatin Fier-Shegan. Në banesë jetonin një çift...