Plazhi i Durrësit, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit, është aktualisht një kantier ndërtimi për shkak të punimeve për ndërtimin e shëtitores së re dhe mbushjen e bregut me rërë. Nga Ura e Dajlanit e në vijim, ky projekt ka krijuar pasiguri mes operatorëve turistikë dhe bizneseve që varen nga turizmi.


Pas 33 vitesh në të cilat janë lejuar ndërhyrje shkatërruese në shtretërit e lumenjve, në mjedis dhe në bregdetin e Durrësit, ku ndërtimet pa kriter dhe pa një plan urbanistik kanë dominuar vijën bregdetare, tani po jepen miliona euro për të mbushur plazhin ekzistues me rërë. Ky investim vjen në funksion të zgjerimit të projektit të Durrës Yacht Marina, një nismë private e investitorit Alabbar, e cila po hedh shtat me shpejtësi përgjatë bregdetit te Ura e dajlanit.

“Në zonën e Portit të Durrësit po zhvillohet një investim i njohur si Durrës Yacht Marina që synon dhe krijimin e një zone të re bregdetare. Pranë këtij investimit Zona ranore e bregut të detit është shumë e reduktuar dhe ka një gjerësi prej rresh 15 deri në 20 m. Disa struktura turistike në këtë pjesë kanë investuar duke ndërtuar zona artificiale të rrethuara me konstruksione betoni dhe duke e mirëmbajtur herë mbas here.
Në pjesën tjetër të bregut nga skela (Hawai Beach Bar) e deri tek fundi i shëtitores pranë pistës së vogël Iliria kemi një gjerësi të bregut të detit nga 15‐20 m ne fillim e deri ne 40‐50 m pranë pistës Iliria”, thuhet në dokumentin e FSHZH-së.
Nisur nga kjo situatë, me ndërhyrje të shëmtuara private në det, si në mall të babait dhe që cenuan ekomorfologjinë e bregdetit dhe mjedisit detar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit së fundmi ka akorduar 3.8 milionë euro për të mbushur me rërë vijën bregdetare nga Ura e Dajlanit deri te godina e Konvaleshencës (apo Kavaleshencës siç i thonë rëndom), në kuadër të një plani për rigjenerimin urban dhe mbrojtjen detare. Ky investim synon të krijojë, sipas FSHZH, një hapësirë më tërheqëse për turistët dhe të rrisë potencialin ekonomik të zonës, por pa dyshim ngre edhe pikëpyetje mbi mënyrën se si përdoren fondet publike për të favorizuar projekte të mëdha private dhe për të mbyllur gropat që vetë qeveritë lejuan ndër vite në dëm të mjedisit dhe ekosistemit pa menduar asnjëherë për pasojat.
Ndërkaq përtej kësaj problematike, dinamika e punimeve ka krijuar shqetësime për afatet dhe ndikimin e tyre në sezonin turistik, i cili nis që në prill. Operatorët turistikë theksojnë rëndësinë e përfundimit të punimeve përpara fillimit të sezonit, pasi një plazh ende në ndërtim do të ndikonte negativisht në imazhin e Durrësit si destinacion pushimesh. Edhe pse rezervimet paraprake në hotele dhe struktura të tjera akomoduese janë premtuese, aktualisht plazhi nuk ofron kushtet e duhura për turistët.
Ndërsa autoritetet premtojnë që punimet do të përfundojnë në kohë, shqetësimet mbeten për cilësinë e realizimit dhe ndikimin afatgjatë të këtyre ndërhyrjeve. Operatorët turistikë dhe bizneset lokale i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përshpejtojnë punimet dhe të garantojnë përfundimin e tyre në kohë, në mënyrë që Durrësi të jetë gati për të mirëpritur pushuesit pa pengesa këtë sezon.
©️zërionline


