Rrëfimet e Dumanit/ Si u vra dhe nga kush nëna e 36-vjeçarit të vrarë 13 vite më parë në Durrës 

Date:

Share post:


Fatmira Dedaj u vra barbarisht në garazhin e pallatit ku jetonte ndërsa kishte trazuar ujërat dhe kërkonte drejtësi për të birin. Ajo vetë e kishte zbardhur vrasjen e tij dhe ngrinte gishtin e akuzës ndaj autorëve të dyshuar deri në ditën kur u vra. 

Krimi i shtatorit të vitit 2013 u kthye në vëmendje këtë javë të parë të marsit. Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka akuzuar Talo Çelën si ekzekutorin e Fatmira Dedës në vitin 2013. Sipas dëshmisë së Dumanit, ai e ka parë Çelën duke e goditur 60-vjeçaren në garazhin e pallatit ku ajo jetonte.

“Kur hyra në garazh, pashë Talon duke e goditur Fatmira Dedën. Ajo tentoi të hynte brenda, por qepeni mbeti i hapur. Talo e tërhoqi dhe e goditi me forcë. E ndjera mbeti me fytyrë nga shkallët dhe këmbët nga hyrja e garazhit. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, – tha Dumani para trupit gjykues.

Si ndryshoi plani i vrasjes?

Gjatë marrjes në pyetje, avokati e pyeti Dumanin se përse ndryshoi plani fillestar i vrasjes, duke e kryer atë në garazh dhe jo pranë pallatit ku jetonte viktima.

“Ishte më e thjeshtë për ne, pasi tek pallati jetonte edhe Agron Qoli. Planin e ndërtuam unë dhe Festimi, ndërsa idenë për përfshirjen e Agronit e dha Festim Qoli. Roli i Agron Qolit ishte si informator”, – u shpreh Dumani.

Ai shtoi se viktima kishte akuzuar vëllezërit Petrit dhe Festim Qoli për vrasjen e të birit, Elvis Dedaj, 36 vjeç në një pritë, dhe se prania e saj te karburanti i familjes ishte pengesë për ta. 

Provat e pamjaftueshme dhe rrëzimi i kërkesës për pamje filmike

Seanca u shoqërua me tensione edhe për shkak të një kërkese të avokatit Ilia Ilia, i cili kërkoi që në sallën e gjyqit të shfaqeshin pamjet filmike të vendit të ngjarjes duke argumentuar se provat nuk ishin siguruar në formën e kërkuar nga ligji dhe se vendi i ngjarjes mund të ketë ndryshuar me kalimin e viteve.

“Për pamje filmike duhet t’i referohemi vetëm atyre që ndodhen në fashikujt hetimorë”, – argumentoi trupi gjykues duke e rrëzuar kërkesën.

Vrasja e Fatmira Dedës dhe lidhja me të birin e ekzekutuar

Fatmira Dedaj u gjet e vrarë në shtator të vitit 2013 në garazhin e pallatit të saj në lagjen Nr. 3 të Durrësit. Hetuesit konstatuan se ajo ishte goditur pas koke me mjete të forta dhe kishte ndërruar jetë në vend, pa pasur mundësi të merrte ndihmë mjekësore.

Ajo ishte nëna e Elvis Dedajt, një 36-vjeçar i shpallur në kërkim nga Interpoli për trafik droge dhe i ekzekutuar në një atentat në Shkëmbin e Kavajës më 5 qershor 2012. Vrasja e tij mbeti e pazbardhur, por dyshimet kryesore e lidhën me larje hesapesh për shkak të aktiviteteve të tij kriminale në Belgjikë.

Një tjetër pistë hetimore në atë kohë e lidhte atë me ekzekutimin e Skënder Spahisë, një 44-vjeçar nga Kosova, disa ditë para vrasjes së Dedajt. Spahia u qëllua për vdekje në prani të bashkëjetueses së tij, ndërsa po hynte në apartamentin e tij në plazh.

Një zinxhir vrasjesh të pazbardhura

Vrasja e Fatmira Dedës u konsiderua si një hakmarrje ndaj të birit, për shkak të borxheve të tij apo pazareve të prishura në botën e krimit. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtuan edhe pista të tjera hetimi.

Ndërkohë, Talo Çela, i akuzuar nga Dumani si vrasësi i Dedës, mbetet një nga emrat më të kërkuar nga drejtësia për një sërë krimesh të rënda në Shqipëri. Dëshmia e Dumanit mund të jetë çelësi për zbardhjen e një sërë vrasjesh të ndodhura gjatë viteve të fundit, por mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen seancat e ardhshme gjyqësore.

V. Q.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Mamurras/ Gjendet i dekompozuar trupi i një shtetasi francez

Një trup i pajetë, në gjendje të dekompozuar, është gjetur paraditen e sotme në vendin e quajtur “Përroi...

GJKKO pranon kërkesën, nëna dhe foshnja 3-muajshe dalin nga qelia

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Greta Gjocit për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke i dhënë...

Arrestohet në Rinas ukrainasi i kërkuar për trafik droge, njofton Ambasada e SHBA

Një shtetas ukrainas, i shpallur në kërkim nga autoritetet në Kiev për dyshime lidhur me trafikimin e lëndëve...

Aksident i rëndë në Dibër, plagosen 7 persona; mes tyre edhe të mitur

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Maqellarë–Peshkopi, në vendin e quajtur Dovalan, ku...