Tensionet në rajon/ Europarlamentarët kërkojnë sanksione kundër Dodikut

Date:

Share post:

Përmes një letre të nënshkruar, 28 anëtarë të Parlamentit Evropian i kërkojnë shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ta sanksionojë Millorad Dodik, presidentin e entitetit serb nw Bosnje, për shkak të veprimeve të tij rishtazi për ta ndarë Republikën Sërpska nga Bosnja e Hercegovina. 

“Dodiku përbën kërcënim serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, e në këtë mënyrë edhe për sigurinë e Bashkimit Evropian, për shkak të veprimeve të tij gjithnjë e më të theksuara secesioniste dhe lidhjeve të ngushta me Kremlinin”, thuhet në letër.

Ata besojnë se përpjekjet diplomatike për të bindur Dodikun të heqë dorë nga politikat e tij të tanishme kanë dështuar dhe se sanksionet janë të nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Letra është nismë e deputetëve Tineke Strik, Thijs Reuten dhe Irena Joveva, e cila ka marrë përkrahjen e deputetëve të dhjetë vendeve anëtare të BE-së dhe pesë grupeve politike. Ata kanë thënë se veprimet e Dodikut janë në përputhje me interesat e Moskës.

Eurodeputetët besojnë se Dodiku ka ndërmarrë hapa drejt shkëputjes së paligjshme të Republikës Sërpska nga Bosnja në javët e fundit.

Entiteti serb i Bosnjës i mori një sërë veprimesh rishtazi, pasi Dodik u dënua nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik, së bashku me liderë të tjerë të Republikës Sërpska, gjithashtu dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare.

Gjykata e Bosnjës urdhëroi më 14 mars vendosjen e Dodikut kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtar Nenad Stevandiq, në paraburgim 30-ditor. Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti. Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.

Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit. Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.

Më 13 mars, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e miratoi një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnjës. Kjo kushtetutë është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore. 

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Studentja e UAMD ngre shqetësimin për aksesueshmërinë në kampus dhe ceremoni

Adivije Hoxha*Studente dhe drejtuese e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve Durrës Sot u inaugurua Fakulteti i Studimeve Profesionale në...

Parkimi me pagesë nis në Durrës, gjoba deri në 20 mijë lekë për mjetet e lëna prej kohësh në rrugë

Prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, parkimi me pagesë ka nisur të zbatohet në rrugët dhe sheshet...

Anisa Ibraj: Studentët e Durrësit përballen me kosto të lartë jetese dhe mungesë konviktesh

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Durrësit (PL) Anisa Ibraj ka reaguar në rrjetet sociale për problematikat me të...

Manuela Arcuri dhe Princi Pallavicino po afrohen më shumë se kurrë

Aktorja e njohur dhe aristokrati gjenovez udhëtuan së bashku drejt Parisit me avion privat, shijuan mëngjesin në Ritz...