Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, duket se po rikthehet në skenën politike, por këtë herë në një rrethanë të pazakontë. Burime të besueshme sugjerojnë se ai do të luajë një rol jo të vogël në fushatën e 11 majit, duke mbështetur kandidatin e opozitës, Elton Rroshi, i cili është djali i xhaxhait të tij.

Ky angazhim i Rroshit për koalicionin opozitar, për të cilin nuk ka reaguar ende, shënon një kthesë të papritur, duke pasur parasysh historinë e tij me Partinë Socialiste dhe sfidat e ashpra politike që ka pasur me Partinë Demokratike. Rroshi u bë i njohur në zgjedhjet e vitit 2011, kur, si kandidat i PS-së, arriti të thyejë dominimin e gjatë të PD-së në Kavajë, duke fituar me një diferencë prej 880 votash ndaj rivalit demokrat.
Megjithatë, fitorja e tij u shoqërua me akuza të shumta nga Partia Demokratike, duke përfshirë shpërdorim detyre, korrupsion dhe trafikim. Ligji i dekriminalizimit, i cili preku disa figura politike në Shqipëri, filloi pikërisht me çështjen e Elvis Rroshit, pas pretendimeve për një dënim të tij për përdhunim në grup në Itali.
Gjatë viteve në drejtimin e bashkisë, Rroshi u përball me një sërë akuzash dhe polemikash, përfshirë edhe çështjen e shumëpërfolur të rrëmbimit të Griseldës, e cila u shndërrua në një betejë të fortë mes mazhorancës dhe opozitës. Sidoqoftë, ai mbetet një figurë me ndikim në Kavajë, duke pasur një bazë të fortë mbështetësish.
Së fundmi, ai është thirrur nga SPAK për një kallëzim që lidhet me tenderat e rikonstruksionit të qytetit gjatë kohës që drejtonte bashkinë. Edhe pse publikisht është tërhequr nga jeta politike, pritet që në zgjedhjet e 11 majit të mbështesë të afërmin e tij, Elton Rroshin, i cili është pjesë e listës së hapur të opozitës si kandidat i Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës.
Kjo lëvizje duket se është pjesë e një marrëveshjeje të heshtur mes faktorëve të opozitës. Burime brenda PD-së tregojnë se kandidati që doli më i votuari në primaret e demokratëve në Kavajë, Hysen Kadiu, nuk u përfshi në listat përfundimtare pikërisht për shkak të një pakti të arritur me Elvis Rroshin. Në këtë mënyrë, koalicioni opozitar synon të sigurojë dy mandate nga Qarku i Tiranës, ku përfshihet edhe Kavaja.
Roli i Rroshit në këtë fushatë mbetet për t’u parë, por fakti që një ish-kryetar i PS-së do të angazhohet për të mbështetur një kandidat të koalicionit opozitar e bën këtë një nga zhvillimet më të pazakonta të këtyre zgjedhjeve.
©️zërionline


