E ndërsa Rama dhe Basha hedhin e presin romuze me njëri-tjetrin, pjesë e një strategjie të mençur komunikimi mes tyre, që sjell në vëmendje Bashën dhe koalicionin e tij, teksa dërgon ujë në mullirin e Ramës për të zbehur Berishën dhe koalicionin opozitar më të madh në vend, edhe kreu i PD-së i ka kushtuar vëmendje dyshes së momentit.
Gjatë konferencës me gazetarët, Sali Berisha komentoi përballjen në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Lulzim Basha, dikur i përzgjedhuri i tij për drejtimin e PD-së.
Sipas ish-kryeministrit, kjo është një ndjenjë dashurie që më parë mbahej e fshehtë dhe tashmë është publike.
“Atë që e kishin të fshehtë e nxorën hapur, mund të them se dashuritë janë me faza, e kishin të fshehtë, tani dolën publikisht, Zoti ua shtoftë!”, tha Berisha me ironi.
Që prej fundjavës, kryeministri dhe ish-kreu i PD-së kanë nisur replikat në distancë.
Basha përmes videove, nën tingujt e muzikës, dhe nga ana tjetër Rama me deklaratat e tij në bisedat me qytetarët online ose gjatë takimeve me strukturat e kandidatët në qarqet e vendit.
V.Q.
©️zërionline


