Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Bashkia e Durrësit priti vizitorë të veçantë nga Qendra e Shërbimeve Komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, ndau mesazhin prekës të këtyre fëmijëve: “Çelësi i autizmit është dashuria.”


Sipas Sakos, mbështetja për fëmijët me çrregullime të spektrit autik është një prioritet i punës së bashkisë. Qendra e Shërbimeve Komunitare ofron jo vetëm trajtime të personalizuara për fëmijët sipas nevojave të tyre, por gjithashtu shërben si një pikë mbështetjeje dhe informimi për familjet e tyre.

Aktualisht, 80 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre përfitojnë nga shërbimet e kësaj qendre. Kryebashkiakja theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme për këta fëmijë dhe sigurimit të një mbështetjeje të vazhdueshme, duke nënvizuar rolin e shoqërisë në ofrimin e dashurisë dhe kujdesit për ta.
Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, e cila shënohet çdo vit më 2 prill, synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të promovojë pranimin e personave me çrregullime të spektrit autik. Kjo ditë është një thirrje për mbështetje dhe përmirësimin e shërbimeve për fëmijët dhe të rriturit autikë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes sociale dhe dashurisë si çelës për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
©️zërionline


