Mëngjesin e kësaj të mërkure u gjet trupi i pajetë i Ilaria Sulës, shqiptares 22-vjeçare, e cila u zhduk më 25 mars nga shtëpia ku jetonte në lagjen Furio Camillo, në Romë. Trupi i së resë u gjet në një zonë të pyllëzuar në fund të një shkëmbi pranë bashkisë së Polit, në juglindje të kryeqytetit, brenda një valixheje. Ajo do të ishte goditur me thikë për vdekje.

Policia arrestoi ish-të dashurin e vajzës, 23-vjeçarin Mark Samson, me origjinë nga Filipinet. Hetimet u fokusuan menjëherë tek i dashuri. Sipas raportimeve, ai e vrau vajzën duke e goditur me thikë në një apartament në kryeqytet dhe më pas e hodhi trupin në humnerë pasi e mbylli në një valixhe. Shqiptarja studionte në universitetin “La Sapienza”.

Kqyrja e banesës se ish-të dashurit
Hetimet morën një kthesë dramatike gjatë natës, kur policia mbërriti në apartamentin e shtetasit filipinas në rrugën “Homs”, në lagjen Africano, ku mëngjesin e sotëm u krye një kontroll nga policia shkencore. I njëjti person, me të cilin viktima kishte shkëmbyer mesazhe për një kohë të gjatë natën e zhdukjes, është identifikuar nga policia dhe shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Mbrëmjen e zhdukjes, Ilaria kishte dalë nga shtëpia me nxitim për të takuar dikë. Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, thanë se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, madje as sendet personale, ndërsa telefoni i saj kishte qëndruar i ndezur për njëfarë kohe dhe dikush madje kishte kthyer përgjigje në disa mesazhe. Nuk është e qartë nëse ishte vërtet ajo. Më pas, asnjë gjurmë nga e reja shqiptare.
©️zërionline


