*Sadik Sallaku
Në 50 vite diktaturë, përveç dënimit kapital që e kanë paguar si faturë shumë të pafajshëm, përveç burgosjes dhe torturave, përveç internimeve në zona të thella, të largëta, të humbura, ajo që e lëndonte, e prekte, e indimidonte deri në palcë popullin dhe shoqërinë shqiptare ishte frika nga “damka” dhe “damkosja”.
“Damka” e tradhëtarit, “damka” e armikut imagjinar të popullit, “damka” e imoralitetit etj.
Edhe sot, fiks pas 35 vitesh nga rënia e atij sistemi, ne vazhdojmë të trashëgojmë brez pas brezi “damkën”. Sistemi ra, por shoqëria vazhdon të mbajë në këmbë damkosjen, që sot ka një formë të re, por të njëjtën përmbajtje.
Sot quhet paragjykim dhe fillon që nga rrobat që zgjedhim të veshim, e nuk mbaron, nuk ka të sosur.
E, si një mallkim ndjek Personat me Aftësi të Kufizuara “damka” e karriges me rrota.
Nuk ka rëndësi asgjë tjetër para saj, nuk ka rëndësi pesha a vlera jote si njeri, kapaciteti intelektual, ambicia, dëshirat a ëndrrat që ke, sepse nëse je i/e ulur në një karrige me rrota, askush nuk të sheh ty, por vetëm karrigen.
Akoma edhe sot, as nuk e kuptojmë dhe për rrjedhojë, as nuk e justifikojmë dot shoqërinë, në dukje, moderne shqiptare.
Një shoqëri, e cila nuk e bën dot ndarjen e karriges me rrota, me njeriun, që ulet mbi karrige. Një shoqëri që na shtyn të bëjmë viktimën, na shtyn të izolohemi larg syve të saj, na mban të mbyllur brenda, larg ëndrrave tona, larg jetës e na e vret shpresën vetëm me një lëvizje, duke na drejtuar gishtin, duke na quajtur “sakatë”, “të mangët, “gjysmakë”, “topallë”, “qorra”, “budallenj” etj.
Fatkeqësia më e madhe nuk qëndron tek fakti që këto terma denigrues deri në rrasht përdoren masivisht. Faktkeqësia më e madhe është, që këto terma janë kthyer në perceptime.
Pra, ky sistem, jo vetëm na etiketon në këto forma, por edhe na mendon njësoj, e lidh ekzistencën tonë me përmbajtjen e këtyre termave. Njerëz të vdekshëm, që gjykojnë e paragjykojnë veprat e Zotit.
Akoma më e rëndë bëhet situata kur na drejtojnë gishtin, kur na vendosin “damkën”, kur na paragjykojnë ata që paguhen e marrin rrogën për të mos e bërë, ata që marrin votat e zënë karriget e pushtetit.
Më e nderë bëhet situata, kur dyert t’i përplasin në fytyrë, e t’i mbyllin pa të dhënë qoftë edhe një mundësi për të shprehur veten, pikërisht, ata që paguhen për t’i mbajtur hapur për çdo individ, përfshirë edhe ne, që u “shëmtojmë” zyrat me karriget tona me rrota.
“Damka” e karriges me rrota na përndjek në çdo frymëmarrje, në çdo rrahje zemre, na përndjek në çdo grimcë të ekzistencës tonë. Kjo “damkë” na është vendosur si një etiketë në lëkurë, tamam si të burgosurit e diktaturës.
Kjo “damkë”, të cilës ia lexojmë përmbajtjen në sytë e të gjithë atyre që vetë-konsiderohen si “normalë”, na vjen nga pas kudo, në çdo përpjekje që bëjmë për tu ndjerë të gjallë, për tu ndjerë pjesë e shoqërisë.
Personalisht, kjo “damkë” sot më ka ngritur mure të larta, më ka mbyllur portat e fatit, po përpiqet me çdo kusht të më izolojë.
Kjo “damkë” më ka zhvlerësuar sakrificat, më ka përçmuar përjekjet, që pikërisht prej saj jam detyruar t’i bëj dyfish.
Si mund të mos i bëja dyfish?
Duhet të justifikoja veten, kërkesat, ankesat, qëllimet, gjithçka që përpiqesha të arrija.
E megjithatë, arritjet akademike që kisha, nuk u panë kurrë, sepse sytë shohin vetëm karrigen me rrota dhe “damkën” që ajo na vendos të gjithë neve, që Zoti ka vendosur të na përballë me sfida e të na testojë durimin.
Nuk ka progres, nuk ka demokraci, nuk ka ndryshim, ka vetëm xhirime në llucë, vetëm kalbëzim dhe ndryshkje të shoqërisë nëse nuk fillojmë të shohim përtej “damkave”, keqardhjeve të shtirura e paragjykimeve, që kanë si burim të ripërtëritshëm “nënën injorancë”…
*Autori është nënkryetar i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, Dega Durrës
©️zërionline


