A e njeh fytyra moshën tënde të vërtetë? Inteligjenca Artificiale zbulon ritmin e plakjes

Date:

Share post:

Në një epokë kur teknologjia po pushton çdo cep të jetës sonë, edhe pasqyra tradicionale duket se po zëvendësohet me algoritme. Një nga risitë më të fundit vjen nga fusha e Inteligjencës Artificiale. Një program i quajtur FaceAge mund të zbulojë sa shpejt po plaket trupi ynë, vetëm nga një fotografi e fytyrës.

I publikuar në revistën shkencore “The Lancet Digital Health”, algoritmi FaceAge ka trajtuar me dhjetëra mijëra imazhe të të rriturve të shëndetshëm dhe pacientëve me kancer. Ai përkthen tiparet e fytyrës në një moshë biologjike, ndryshe nga ajo kronologjike, duke reflektuar shëndetin e përgjithshëm të trupit. Në shumë raste, njerëzit me probleme serioze shëndetësore rezultojnë të duken pesë vjet më të vjetër biologjikisht sesa bashkëmoshatarët e tyre.

Ky sistem është ndërtuar për të përmirësuar të ashtuquajturin “test i syrit” që mjekët përdorin për të vlerësuar gjendjen e përgjithshme të një pacienti. Por ndryshe nga ky vlerësim subjektiv, FaceAge ofron një analizë objektive, duke kapur sinjale që syri i njeriut mund t’i anashkalojë.

Jo vetëm që identifikon ritmin e plakjes, por ky algoritëm ka treguar se është në gjendje të parashikojë me saktësi rrezikun e vdekjes brenda gjashtë muajve, madje duke tejkaluar edhe gjykimin e mjekëve me përvojë.

Por kjo teknologji nuk vjen pa shqetësime. Përdorimi i saj nga kompani sigurimesh apo punëdhënës mund të hapë debate etike dhe ligjore. Çfarë ndodh kur një punëdhënës refuzon një kandidat sepse “duket” më i moshuar biologjikisht? Ose kur sigurimet rrisin çmimet bazuar në një vlerësim të padukshëm nga një algoritëm?

Zhvilluesit e FaceAge, që nuk mund të përdoret nga njerëz të zakonshëm, por është krijuar për qëllime kërkimore dhe mjekësore, pretendojnë se kanë punuar për të shmangur paragjykimet racore apo gjinore dhe po përpiqen të rrisin saktësinë e algoritmit duke përfshirë më shumë të dhëna dhe variabla. Megjithatë, faktorë si ndriçimi, grimi apo ndërhyrjet estetike mbeten sfida të hapura që mund të ndikojnë në rezultatet.

Një gjë është e qartë se në të ardhmen, mbase do të jetë një aplikacion në telefon që do të na thotë jo vetëm sa vjeç dukemi, por edhe sa shëndetshëm po jetojmë. Dhe kjo njohuri, përveçse sfiduese, mund të jetë edhe frymëzuese për të ndryshuar stilin e jetës, për të ngadalësuar ritmin e plakjes dhe për të investuar më shumë në mirëqenien tonë.

Sepse, në fund të fundit, mosha është më shumë sesa një numër në letër. Është historia që fytyra jonë tregon për mënyrën se si jetojmë.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Antimafia Italiane godet organizatën kriminale që dërgonte flori në Shqipëri

Policia italiane ka goditur një rrjet kriminal të përbërë kryesisht nga shqiptarë, i dyshuar për trafik ndërkombëtar të...

E rëndë në Dibër/ Shtylla bie mbi elektricistin gjatë punës, 60-vjeçari ndërron jetë në spital

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Dibër, ku një elektricist ka humbur jetën gjatë punës. Ngjarja ka ndodhur...

Nga dogana tek supermarketi: Rrugëtimi misterioz i çmimeve në Shqipëri!

Nga Irena Beqiraj Në Shqipëri, kur çmimet rriten, shpjegimi është pothuajse gjithmonë gati "fajin e ka importi". Lufta, krizat...

Vajza dyshohet se i vuri flakën babait 89-vjeçar në Burrel, çfarë po ndodh me familjen?

Një tjetër ngjarje tronditëse brenda familjes vjen nga Burreli, ku një 43-vjeçare dyshohet se ka lyer me benzinë...