“Enigma” çon në pranga 7 persona, 3 të shpallur në kërkim për krime të rënda, Policia e Durrësit godet një grup me rrezikshmëri të lartë

Date:

Share post:

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Enigma”, duke arrestuar 7 persona, mes të cilëve 3 të shpallur në kërkim për krime të rënda në fushën e narkotikëve dhe krimeve kundër personit. Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp të zhvilluar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Vilson Bala, në prani të përfaqësuesve të lartë të Policisë së Shtetit.

Operacioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me precedentë penalë të rrezikshëm ndodheshin në një restorant në Gjirin e Lalzit dhe dyshohej se kishin me vete armë zjarri. Duke vlerësuar nivelin e lartë të rrezikshmërisë, u përfshi edhe Forca e Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit.

Policia ndërhyri në mënyrë të befasishme dhe në kushte sigurie të larta në ambientet e restorantit, duke neutralizuar personat e dyshuar. Nga verifikimet rezultoi se në tavolinë ndodheshin shtetasit:

Xhevdet Plaku, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për trafik droge. Ai është arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025. U kap me një armë zjarri me fishek në fole.

Flobens Mecia, 43 vjeç, nga Shkodra, i kërkuar nga SPAK për përfshirje në organizatë kriminale dhe sigurimin e kushteve për vrasje. Policia i gjeti dokumente të falsifikuara dhe një pistoletë me fishek në fole.

Voltan Xhani, 39 vjeç, rezident në Holandë, në kërkim për trafik mjetesh dhe dyshuar për përfshirje në një vrasje në Shkodër. Ai mbante një armë zjarri në çantë.

Jugert Xhani, 35 vjeç, akuzuar për mbajtje pa leje të armëve dhe përkrahje të autorëve të krimit.

O. H., 38 vjeç, nga Mamurrasi; F. Q., 36 vjeç, nga Tirana; dhe A. H., 45 vjeç, po nga Mamurrasi, të tre të dyshuar për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorëve.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta të mbajtura me fishek në fole, sasi parash në euro dhe sende të tjera që po analizohen si prova materiale.

Në fjalën e tij, drejtori Bala theksoi profesionalizmin dhe reagimin në kohë të shërbimeve të përfshira, duke e konsideruar operacionin si një goditje të rëndësishme kundër krimit të organizuar. Ai falënderoi të gjithë efektivët e angazhuar dhe siguroi qytetarët e Durrësit se Policia Vendore mbetet e vendosur për të luftuar krimin në çdo formë të tij.

Policia ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo veprimtari të paligjshme në numrin 112, duke garantuar anonimatin dhe ndërhyrje të menjëhershme.
“Bashkë ndërtojmë një ambient më të sigurt”, përfundoi Bala.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ndërron jetë në spital avokati Saimir Vishaj

Ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare avokati i njohur Saimir Vishaj. Avokati ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit...

Aksident në aksin Pogradec-Lin, përplasen dy makina! 6 persona të plagosur

Një aksident me 6 të plagosur ka ndodhur pak më parë në aksin rrugor Pogradec-Lin, pranë fshatit Piskupat. Sipas...

Sarandë/Skifterja vodh­i makinën në parkimin e një hoteli, kapet pas 30 minutash

Një 31-vjeçare ka përfunduar në prangat e policisë në Sarandë, pasi dyshohet se vodhi një makinë nga parkimi...

Itali/ Tragjike, 21-vjeçari shqiptar vret me thikë nënën në banesë, vetëdorëzohet te karabinierët

Një 21-vjeçar shqiptar ka vrarë me thikë nënën e tij 39-vjeçare gjatë natës në banesën e familjes në...