Qyteti mesjetar i Bruges në Belgjikë, i njohur për rrugicat e tij piktoreske me kalldrëm dhe i mbrojtur nga UNESCO, ka lëshuar një apel të pazakontë për turistët: të ndalojnë vjedhjen e gurëve nga rrugët historike.
Autoritetet vendase kanë vënë re se çdo muaj zhduken nga 50 deri në 70 kalldrëme, një shifër që rritet ndjeshëm gjatë sezonit të pikut turistik. Franky Demon, këshilltar komunal i qytetit, tha për CNN se zëvendësimi i kalldrëmeve dhe riparimi i dëmeve kushton rreth 200 euro për metër katror.
“Disa mund ta konsiderojnë si një veprim të padëmshëm apo të çuditshëm, por pasojat janë të rënda”, theksoi Demon. “Heqja e kalldrëmit krijon rreziqe sigurie për qytetarët dhe vizitorët. Gurët që mungojnë ose janë liruar shkaktojnë pengesa, dhe ekipet tona duhet të ndërhyjnë vazhdimisht për riparime.”
Në një rast të pazakontë, Demon tregon se një turist kishte zëvendësuar një gur të munguar me një lule të mbjellë. “Një gjest i çuditshëm, por që tregon mungesën e respektit për trashëgiminë tonë të përbashkët”, tha ai.
Ai shtoi se qyteti i kërkon vizitorëve të respektojnë historinë e Bruges: “Të ecësh nëpër Bruges do të thotë të ecësh mbi shekuj historie. Këto kalldrëme nuk janë vetëm gurë, ato janë pjesë e shpirtit të qytetit tonë. U kërkojmë turistëve të shijojnë bukurinë e Bruges, por ta lënë atë të paprekur për brezat e ardhshëm.”
Ashtu si qytetet e tjera historike evropiane si Venecia dhe Barcelona, edhe Bruges përballet me sfida nga turizmi i tepërt, i cili shpesh cenon integritetin e trashëgimisë kulturore.
©️zërionline


