Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq së fundmi vëmendjen se është koha t’i kushtojmë rëndësi të posaçme njërit nga kërcënimet më serioze për shëndetin e syve në shekullin e XXI. Ajo është miopia.
E njohur ndryshe si “shikimi i shkurtër”, apo dritëshkurtësia, miopia është një gjendje që nënkupton se një person sheh qartë nga afër, por ka vështirësi për të parë në distancë. Kjo gjendje po bëhet gjithnjë e më e zakonshme tek fëmijët e vegjël dhe prindërit që vuajnë nga miopia kanë më shumë gjasa që edhe fëmijët e tyre ta zhvillojnë atë.
Sipas OBSH-së, aktivitetet që përfshijnë fokusimin në objekte të afërta, si leximi i librave apo përdorimi i telefonave inteligjentë, rrisin ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e miopisë, sidomos kur praktikohet për periudha të gjata.
Disa nga simptomat më të zakonshme të miopisë përfshijnë:
- Vështirësi për të parë objektet në distancë.
- Fërkimi i syve, ngushtimi i shikimit apo mbyllja e një syri për të parë më mirë.
- Qëndrimi shumë afër televizorit ose mbajtja shumë afër e librit.
- Dhimbje apo lodhje të syve.
Ekspertët e OBSH-së japin disa këshilla për parandalimin e miopisë:
- Kaloni më shumë kohë në natyrë, sidomos fëmijët.
- Mbani librin ose pajisjet elektronike të paktën 30 cm larg syve.
- Zbatoni rregullin 20-20-20: çdo 20 minuta aktivitet afër syve, bëni një pushim 20 sekondësh për të parë diçka që ndodhet 6 metra larg (rreth 20 këmbë).
Kontrollet e rregullta të syve janë thelbësore për shëndetin tuaj pamor. A e keni caktuar takimin tuaj të radhës?
©️zërionline


