Shqipëria po përballet me një rritje të frikshme të rasteve me sifiliz, një sëmundje seksualisht e transmetueshme që dikur mendohej e zhdukur ose nën kontroll. Alarmi është dhënë nga mjeku Shkëlqim Balili, i cili gjatë një daljeje publike, ka kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve shtetërore për të frenuar përhapjen e saj.


Në qendër të këtij fenomeni shqetësues, mjeku vendos një faktor që shpesh anashkalohet: turizmi seksual, pra ardhja e shtuar e punonjëseve të seksit nga vende të huaja, që sipas tij po ndikon ndjeshëm në përhapjen e sëmundjeve veneriane.
“Në shekullin e 19-të, sifilizi ishte në krye të listës së sëmundjeve të transmetueshme seksualisht. Sot po shohim një rikthim të rrezikshëm të tij”, – paralajmëron Balili. Ai shpjegon se kjo sëmundje kalon në disa faza, duke filluar me një periudhë inkubimi pa simptoma, që e bën infeksionin të përhapet në heshtje.
Sipas mjekut, më pas pasojnë njolla të dhimbshme në duar e këmbë, dhe në fazën e tretë, që mund të zgjasë deri në dy vjet, bakteri hyn në sistemin limfatik dhe nëse nuk trajtohet, mund të çojë deri në vdekje.
Ky trend rritës është bërë aq serioz sa po konsiderohet një kërcënim i vërtetë për shëndetin publik. Balili nënvizon se të rinjtë duhet të edukohen mbi rëndësinë e seksit të sigurt, duke theksuar se marrëdhëniet seksuale me shumë partnerë dhe praktikat e pambrojtura janë faktorë rreziku.
Ai nuk kurseu as tonin kritik ndaj disa sjelljeve seksuale, të cilat i konsideroi “pervertizma”, si seksi anal apo oral, dhe u shpreh se duhen eliminuar zakonet që favorizojnë përhapjen e sëmundjeve, përfshirë përdorimin e duhanit.
Për mjekun, kontrollet periodike janë jetike, sidomos për gratë, të cilat duhet të kryejnë vizita të rregullta tek gjinekologu dhe të mos neglizhojnë testin PAP, të paktën një herë në vit.
Në një kohë kur Shqipëria përpiqet të rrisë numrin e turistëve, mjekët bëjnë thirrje që turizmi të mos kthehet në burim sëmundjesh, por në një mundësi zhvillimi të qëndrueshëm. Për këtë, ata kërkojnë masa të koordinuara mes shëndetësisë, arsimit dhe institucioneve të sigurisë, si dhe një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për edukimin seksual.
Në një vend ku debati mbi shëndetin seksual shpesh mbetet tabu, shifrat alarmante të sifilizit mund të jenë thirrja e fundit për të vepruar.
©️zërionline


