Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në mjediset e burgut. Operacioni është kryer nga strukturat e sigurisë dhe rendit, të cilat kanë ndërhyrë si brenda qelive ashtu edhe në ambientet e jashtme të institucionit.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar gjithsej 10 telefona celularë. Sipas burimeve zyrtare, dy prej pajisjeve janë gjetur brenda qelive të të burgosurve, ndërsa tetë të tjerë janë kapur në zonat e jashtme të burgut, në përpjekje për t’u futur në sektorin e sigurisë së lartë. Dyshohet se mjetet janë tentuar të futen në mënyrë të paligjshme, përmes hedhjes nga jashtë ose me ndihmën e personave të tretë.
Në burgun e Durrësit aktualisht ndodhen mbi 200 të dënuar dhe të paraburgosur, mes të cilëve edhe persona me profil të lartë publik. Ndër të paraburgosurit figurojnë edhe emra të njohur si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në pritje të një procesi gjyqësor.
Autoritetet e burgut kanë theksuar se kontrollet e tilla do të vijojnë në mënyrë të herëpashershme, me synim forcimin e masave të sigurisë dhe garantimin e një mjedisi të rregullt brenda institucionit. Ndërkohë, pritet që mbi rastet e kapjes së celularëve të nisë një hetim i detajuar për të zbuluar mënyrën e futjes së tyre dhe personat përgjegjës.
©️zërionline


