Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e plagosjes me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e kaluar në zonën e Fllakës, ku mbeti i plagosur një 36-vjeçar. Sipas hetimeve, shkak për ngjarjen është bërë një konflikt i mëparshëm mes të plagosurit dhe babait të autorit të dyshuar.
I plagosuri, Arbër Gorgeja, 36 vjeç, ishte duke lëvizur me makinë në momentin që është qëlluar dhe mbetur i plagosur. Dyshohet se ngjarja ka lidhje me një incident të ndodhur disa ditë më parë në Kavajë, ku Gorgeja kishte qëlluar me grusht Eqerem Kazazin, babain e autorit të dyshuar, për motive ende të paqarta, por që konsiderohen si “të dobëta”.
Si autor i dyshuar i plagosjes është identifikuar Erkid Kazazi, banor i Kavajës, i cili aktualisht ndodhet në kërkim nga policia. Strukturat hetimore vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërkohë që materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave që çuan në përshkallëzimin e konfliktit në dhunë me armë.
©️zërionline


