Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat një ndryshim në buxhetin e vitit 2025.Qeveria ka vendosur alokimin e një fondi prej 1 miliard lekësh pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare, për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në startup-in “Machine Thinking Lab”.
Qëllimi i qeverisë shqiptare, theksoi Malaj, është që të ndjekë modelet bashkëkohore dhe të rrisë përfshirjen e Inteligjencës Artificiale duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera.
“Realizmi me urgjencë i këtij Akti Normativ erdhi edhe nga fakti se projekti duhej të financohej në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim që të fillonte zbatimin dhe të siguroheshin përfitimet e nevojshme”, tha Malaj.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se një investim i tillë duhet parë edhe nga pikëpamja e përfitimeve më afatgjata, qofshin ato ekonomike, por edhe të një historie suksesi që vjen nga një sipërmarrëse shqiptare me kontribut të rëndësishëm botëror në fushën e Inteligjencës Artificiale.

“Ky investim nuk duhet parë thjesht si një angazhim financiar, por si një mundësi strategjike për të ndërtuar të ardhmen teknologjike të Shqipërisë, për të pozicionuar vendin tonë si një pikë referimi për inovacionin në rajon dhe më gjerë, si dhe për të krijuar një ekonomi më të avancuar, të lidhur me tregjet globale të dijes dhe kapitalit”, u shpreh Malaj.
“Thinking Machines Lab”, start up-i i inteligjencës artificiale u themelua nga Mira Murati, ish-drejtuese teknologjike e OpenAI (organizata që krijoi ChatGPT) dhe ka në përbërje një ekip prej rreth 30 studiuesish dhe inxhinierësh nga OpenAI, Meta, Mistral dhe Character.AI, përfshirë ish-drejtorin kryesor të kërkimit të OpenAI, Bob McGrew, dhe studiuesin kryesor për shumë nga modelet kryesore të inteligjencës artificiale të OpenAI, Alec Radford.
Kompania mbështetet gjithashtu nga emra të mëdhenj si Andreessen Horowitz (A16z), një nga fondet më të mëdha në Silicon Valley dhe Sequoia Capital, një investitor lider në teknologji, por edhe investitorë të tjerë individualë.
“Padyshim një investim i tillë tërhoqi vëmendjen tonë dhe këtu e kam fjalën për Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila ka një fokus strategjik në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe që në rolin e Agjentit do të marrë përgjegjësinë për transferimin, investimin, monitorimin, raportimin mbi investimin, si dhe do të përfitojë një pjesë të kthimit nga investimi kur ai të realizohet”, tha ministri.
“Thinking Machines Lab” synon të zhvillojë inteligjencë artificiale që integron modalitete të shumta – tekst, pamje, audio dhe ndërveprim – në sisteme bashkëpunuese, që mund të shërbejnë si asistentë inteligjentë për individët apo bizneset.
Qeveria shqiptare vlerëson se potenciali zhvillues i start up-it parashikohet të jetë shumë herë më i madh, duke qenë se aktualisht, “Thinking Machines Lab” po mbledh fonde nga investitorë të ndryshëm, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Deri tani, janë siguruar 1.7 miliardë dhe pritet që kjo kompani të ketë një vlerë prej 10 miliardë dollarësh e në të ardhmen në një shifër që mund të tejkalojë edhe 50 miliardë dollarë.
Nga ana tjetër, ministri vuri në dukje faktin se akti normativ ruan të paprekur deficitin buxhetor, i cili pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, vazhdon të qëndrojë në nivelin rreth 68 miliardë lekë, sikundër është miratuar edhe në buxhetin fillestar 2025.
©️zërionline


