Një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik në Mal të Zi dhe më gjerë, pasi një vajzë e re serbe, 19-vjeçarja Tijana Radonjiç, humbi jetën në mënyrë tragjike, javën e kaluar, duke rënë nga një lartësi prej 50 metrash gjatë një aktiviteti promovues për një agjenci turistike lokale në Rivierën e Budvës.
E reja po merrte pjesë në xhirimet e një reklame, kur ndodhi incidenti fatal. Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentet dramatike para ngjarjes: Tijana, e cila fillimisht duket në gjendje të qetë, papritur shfaq shenja paniku. Ajo shihet duke hequr jelekun që e lidhte me parashutën, për t’u liruar më pas edhe nga rripat e sigurimit në këmbë, një veprim që rezultoi fatal.
Pushues të pranishëm në zonë dëshmojnë se kanë dëgjuar të renë teksa bërtiste me zë të lartë: “Më ulni poshtë! Më ulni poshtë!”, duke kërkuar ndihmë disa sekonda para se të binte. Disa dëshmitarë thanë për mediat lokale se ajo dukej e buzëqeshur dhe e qetë para nisjes së fluturimit, e veshur me bikini mbi sfondin piktoresk të bregdetit të Adriatikut.
Sipas raportimeve të medias “Republika”, dyshohet se Radonjiç mund të ketë përjetuar një sulm paniku gjatë fluturimit dhe kjo mund të ketë çuar në humbjen e kontrollit dhe ndërprerjen e mekanizmave të sigurisë. Po në video vajza shfaqet disi e qetë duke e bërë të mistershëm motivin e aktit të saj.
Megjithatë, familjarët e saj kanë reaguar menjëherë pas publikimit të këtyre dyshimeve, duke mohuar kategorikisht që ajo të ketë qenë në panik. Ata kërkojnë hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes, duke ngritur pikëpyetje për masat e sigurisë dhe profesionalizmin e agjencisë organizuese, që ka nxituar të shfaqë videon e momentit të hedhjes.
Autoritetet malazeze kanë nisur një hetim të thelluar për rrethanat e kësaj tragjedie që ka lënë të shokuar jo vetëm familjen dhe miqtë e viktimës, por edhe gjithë opinionin publik. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen mbi standardet e sigurisë në aktivitetet turistike ajrore në rajon.
©️zërionline


