Një ngjarje tragjike ka tronditur Tiranën mëngjesin e sotëm, teksa një punonjës i Gardës së Republikës u gjet i pajetë në makinën e tij, në garazhin pranë banesës. Viktima është identifikuar si Gentian Lelçaj, 47 vjeç, një efektiv me përvojë i strukturave të sigurisë shtetërore, i cili së fundmi pati qenë pjesë e stafit të shoqërimit të ministrit Bledi Çuçi.
Dyshimet e para, të bazuara në vendngjarje dhe të dhënat paraprake nga grupi hetimor, tregojnë për një vetëvrasje të mundshme, por ende nuk janë verifikuar plotësisht. Hetimet janë në fazë të hershme dhe po kryhen me kujdes të shtuar, për të mos përjashtuar asnjë pistë të mundshme që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes.
Burime të afërta me hetimin kanë bërë të ditur se Lelçaj po përjetonte një periudhë të vështirë personale. Ai ndodhej në një proces divorci me bashkëshorten dhe dyshohet se kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen e tij emocionale dhe psikologjike. Megjithatë, ky mbetet vetëm një prej elementëve që po shqyrtohet nga hetuesit.
Gjithashtu, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë presioni tjetër të natyrës profesionale apo personale që mund ta ketë çuar gardistin drejt këtij akti ekstrem, nëse vetëvrasja do të konfirmohet përfundimisht nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Policia po vijon punën me ekspertët e kriminalistikës për të analizuar çdo provë të mundshme në automjet, si dhe për të marrë në pyetje persona të afërt me viktimën, përfshirë kolegë dhe familjarë. Gjithashtu, janë sekuestruar pajisjet elektronike të tij, për të parë komunikimet e fundit dhe për të ndërtuar një tablo më të plotë të ngjarjes.
Vetëm pas përfundimit të analizave përfundimtare, do të mund të jepet një konkluzion zyrtar për mënyrën dhe motivin e vdekjes së Gentian Lelçajt. Deri atëherë, hetimet mbeten të hapura dhe çdo version mbetet i vlefshëm për tu marrë në konsideratë.
©️zërionline


