Norvegjia e re, Përdhunimi përkufizohet si seks pa pëlqim

Date:

Share post:

Norvegjia po shkon drejt reformës historike, sot pritet miratimi i ligjit që e përkufizon përdhunimin si marrëdhënie seksuale pa pëlqim.

Parlamenti norvegjez pritet të miratojë një ndryshim historik në Kodin Penal, duke e përkufizuar përdhunimin si marrëdhënie seksuale pa pëlqim të qartë, një hap që do ta bëjë Norvegjinë vendin e fundit nordik që miraton një ligj për përdhunimin bazuar në parimin “vetëm po do të thotë po”.

Me këtë nismë, Norvegjia i bashkohet 25 vendeve të tjera europiane që tashmë e njohin mungesën e pëlqimit si thelb të përkufizimit ligjor të përdhunimit. Ky ndryshim përfaqëson një fitore të madhe për shoqërinë civile dhe për dhjetëra mijëra gra, vajza dhe persona të prekur nga boshllëqet e një ligji të vjetëruar që, për vite me radhë, ka dështuar të mbrojë viktimat.

50 organizata, aleancë dhe vite rezistence

Për vite të tëra, aktivistët në Norvegji janë përballur me ngurrimin e sistemit ligjor dhe frikën nga “justismord”, apo dënimet e padrejta. Kundërshtarët e reformës, kryesisht nga radhët e profesionistëve të drejtësisë, e shihnin ndryshimin si të rrezikshëm dhe të vështirë për t’u zbatuar pa prova të drejtpërdrejta të dhunës.

Por koalicioni “Consent Alliance”, një rrjet me mbi 50 organizata, ka drejtuar një fushatë të qëndrueshme dhe të organizuar, që kulmoi dje me një festim simbolik pranë parlamentit me tortë dhe shampanjë, ndërsa ligjvënësit përgatiten për votimin përfundimtar.

Shembulli suedez dhe rrëzimi i miteve ligjore

Kundërshtimet për këtë ligj janë sfiduar gjithnjë e më shumë nga provat ndërkombëtare. Një raport suedez i publikuar në janar 2024 tregon se pas reformës së vitit 2018, Suedia përjetoi rritje të ndjeshme të raportimeve dhe ndjekjeve penale për përdhunim, ndërkohë që nuk është vërtetuar ndonjë rritje në dënimet e padrejta, një argument i përdorur shpesh për të frenuar ligje të ngjashme.

Kristin Dilani Nadarajah, aktiviste dhe një nga shumë viktimat që nuk ka gjetur drejtësi nën ligjin ekzistues, e përshkruan këtë ditë si “çliruese”.

“Ne e fituam këtë betejë. Jo vetëm për drejtësinë që më në fund po vjen, por për debatin publik që kjo reformë ka nxitur fort, një debat rreth pëlqimit, barazisë dhe dinjitetit”, shkruan ajo.

Norvegjia ishte vendi i fundit në Skandinavi që nuk e kishte përfshirë konceptin e pëlqimit në legjislacionin penal mbi përdhunimin një fakt që ka rënë ndesh me imazhin progresist të këtij vendi në nivel ndërkombëtar. Me miratimin e sotëm, pritet që përkufizimi i ri të sjellë jo vetëm më shumë drejtësi për viktimat, por edhe ndërgjegjësim më të madh shoqëror për rolin e pëlqimit në marrëdhëniet intime.

Nëse parlamenti norvegjez e miraton projektligjin sot, siç pritet, ky do të jetë një nga ndryshimet më të rëndësishme ligjore në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe viktimave të dhunës seksuale në Norvegji që nga viti 1902, kur u miratua për herë të parë Kodi Penal i vendit.

Tashmë, në ligj si dhe në jetë: vetëm “po” do të thotë “po”.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Rezultuan me aflatoksinë, Kroacia bllokon ngarkesën me fiq të thatë nga Shqipëria

Kroacia ka bllokuar një ngarkesë me fiq të thatë të importuar nga Shqipëria. Sipas sistemit RASFF, analizat kanë treguar...

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...