Aktori dhe regjisori i njohur italian, fitues i çmimit Oscar, Roberto Benigni, ka bërë një deklaratë të fortë publike kundër luftës, duke denoncuar me fjalë të ashpra ata që shkaktojnë vdekje dhe vuajtje në botë. Në një prononcim publik, ai u ndal te konfliktet që po trondisin opinionin ndërkombëtar, duke përmendur luftën në Gaza, agresionin në Ukrainë dhe tragjeditë e përsëritura në Mesdhe.
“Ata që nuk e ndiejnë dhembjen e botës, nuk janë njerëz”, tha Benigni me një ton të ngarkuar emocionalisht, duke e vënë theksin te humbja e ndjeshmërisë ndaj vuajtjes njerëzore. Ai i quajti frikacakë ata që vazhdojnë të vrasin, veçanërisht kur viktimat janë fëmijë të pafajshëm. “Ata që vrasin fëmijë, nuk janë burra!”, theksoi ai, duke shtuar se edhe fëmijët ndalen kur dikush gërvishtet gjatë lojës, ndërsa në luftëra, “ata vazhdojnë të vrasin. Është burracakëri.”
Benigni nuk kurseu kritikat as për institucionet evropiane, duke veçuar Bashkimin Evropian si një strukturë që, sipas tij, ka dështuar të reagojë dhe të parandalojë konfliktet. “Nuk ka një Bashkim të vërtetë, vërtet të bashkuar. Nëse do të kishte pasur, ndoshta disa luftëra mund të ishin shmangur”, deklaroi ai me hidhërim.
Apeli i Benignit vjen në një moment kur opinioni publik është gjithnjë e më i shqetësuar për shkallën e dhunës në botë dhe për mungesën e përgjegjësisë nga aktorët politikë ndërkombëtarë. Mesazhi i tij prek jo vetëm dimensionin politik, por edhe atë njerëzor, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim, ndalim të dhunës dhe ruajtje të njerëzores.
©️zërionline


