Vali Qyrfyçi
Një tjetër grua u vra. Një tjetër emër i shtohet listës së gjatë të viktimave të dhunës në familje. Gentiana Kopili (Hudhra), 45 vjeçe u godit për vdekje me thikë të shtunën në një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit Tolentino, pranë Maceratës në Itali.
Ajo ndodhej në trotuar, në mes të qytetit, nën dritën e diellit dhe sytë e kalimtarëve, kur ish-bashkëshorti i saj, një 55-vjeçar shqiptar, Nikollaq Hudhra, e sulmoi disa herë me një thikë kuzhine. Ndërhyrja e të pranishmëve dhe mbërritja e shpejtë e shërbimeve të emergjencës nuk mundën të shpëtonin jetën e saj. Gentiana vdiq aty, në asfalt, ku ndaloi dhe jeta e saj dhe, për disa çaste, edhe fryma e një qyteti të tërë.

Autori, që nuk tentoi të arratisej, u gjet ulur në një stol afër vendit të ngjarjes. I papenduar dhe pse e përshkruan të hutuar tha:
“Bëra atë që duhet të bëja. Shpëtova fëmijët e mi.” Kështu deklaroi para karabinierëve, duke shtuar një tjetër goditje therëse mbi dhimbjen që tashmë rëndon mbi dy fëmijët e saj të rritur, mbi miqtë, mbi komunitetin shqiptar dhe atë italian.
Çifti ishte ndarë prej tre vitesh. Sipas autoriteteve nuk kishte pasur denoncime për dhunë apo kërcënime më herët. Por a mjafton kjo për të thënë se gjithçka ishte “në rregull”? A nuk është kjo një tjetër histori që na mëson se dhuna nuk fillon gjithmonë me goditjen e parë, por shpesh vjen pas një varg shenjash të padukshme, të heshtura, të neglizhuara?
Sot flasim për Gentianën. Dje për shumë të tjera dhe nesër ndoshta për dikë tjetër. Sepse ende jetojmë në një shoqëri ku dhuna ndaj grave nuk është vetëm tragjedi individuale, por një dështim kolektiv. Një vend ku mbizotëron heshtja, ku nuk flitet, ku viktimat ndihen vetëm dhe të pambrojtura dhe ku institucionet shpesh mbërrijnë shumë vonë, kur gjithçka ka përfunduar.
Në rrjetet sociale, reagimet janë të forta. “Një shoqëri që nuk i mëson djemtë të respektojnë vajzat dhe burrat të mos e quajnë veten pronarë të grave, është një shoqëri që prodhon viktima”, shkruan një qytetare. Të tjerë kërkojnë që shkollat dhe familjet të jenë vendet ku mësohet barazia, respekti dhe jo nënshtrimi. Të tjerë thërrasin qeverinë të veprojë me politika reale e struktura të mirëfillta mbrojtjeje.
Gentiana nuk është vetëm një tjetër emër. Është një grua që jetonte, që punonte, që kishte ëndrra. Ishte nënë. Dhe tani është statistikë.
Deri kur?
Deri kur do të jetojmë në një shoqëri që i lejon burrat të vrasin gra që s’mund t’i kontrollojnë më?
Deri kur do të heshtim, në rrugë, në shkollë, në institucione, kur dhuna është e pranishme, por e padukshme?
Të vritet një grua në mes të ditës, në mes të qytetit, nuk është vetëm një krim, është një pasqyrë e asaj në të cilën jemi kthyer të gjithë, një shoqëri që nuk di të mbrojë më jetën.
©️zërionline


