Gjykata e Durrësit ka shtyrë për më 16 korrik shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht të Arbër Paplekajt, ish-efektiv i RENEA-s, i dënuar për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani. Seanca u shty për shkak të mungesës së prokurores së çështjes, ndërsa gjyqtari Rexhep Bekteshi vendosi datën e re të seancës.
Në kërkesën e tij, Paplekaj argumenton se ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit dhe kërkon të përfitojë lirim me kusht.
Vitin e kaluar, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ndryshoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Elbasanit, duke ia ulur dënimin nga 22 në 7 vite burg. Po ashtu, Apeli ndryshoi edhe akuzën ndaj tij nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Apeli pati dhënë pafajësi për 6 efektivët e Shqiponjave Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu. Për ta gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënimin me 16 muaj shërbim prove. Të pafajshëm u shpallen edhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte dhënë nga 1 vit shërbim prove për secilin. Ngjarja ndodhi katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, në qytetin e Elbasanit.
©️zërionline


