Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë të lirë pronarin e motorit të ujit, me të cilin u plagos një 21-vjeçar belg në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Skerdilaid Xhameta me banim në Tiranë, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, gjykata vendosi si masë shtrënguese “detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore 2 herë në muaj, ndërsa hetohet mbi rastin.
Incidenti në det ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur i riu belg teksa argëtohej, humbi kontrollin e mjetit lundrues dhe përfundoi me dëmtime nga motori në det.
Turisti u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Durrësit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia e ndaloi Xhametën nën akuzën për shkelje të rregullave të sigurisë në përdorimin e mjeteve lundruese që vihen në dispozicion të pushuesve. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore mbi rastin.
Ky është incidenti i dytë i ngjashëm në të njëjtën zonë bregdetare brenda këtij muaji. Në fillim të qershorit, një 34-vjeçar britanik humbi jetën pasi u mbyt gjatë një manovre me motor uji, ndërsa shoqja e tij shpëtoi pa lëndime. Pronari i mjeteve lundruese ku britaniku mori me qira jet ski-në u la në arrest shtëpie nga gjykata e Durrësit.
©️zërionline


