Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka reaguar publikisht për respektimin e hapësirës publike në vijën bregdetare, duke theksuar se në plazhet ranore, përfshirë edhe ato të menaxhuara nga subjekte private, distanca prej të paktën 7.5 metrash nga bregu i detit është dhe mbetet hapësirë publike.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjete sociale, Kumbaro ka qenë e prerë në qëndrimin e saj:
“Asnjë subjekt privat nuk ka të drejtë të largojë, të kërkojë pagesë, apo më keq, të konfliktohet me qytetarët që qëndrojnë në vijën e parë të bregut, në distancën 7.5 deri në 10 metra që u garanton ligji,” – theksoi ajo.
Ministrja u ka kujtuar bizneseve që operojnë në bregdet se respektimi i ligjit nuk është vetëm një detyrim, por edhe një mënyrë për të ruajtur imazhin e tyre dhe të turizmit shqiptar në tërësi. Ajo u bëri thirrje që të tregohen mirëkuptuese dhe të mos krijojnë situata që cenojnë përvojën e pushuesve dhe reputacionin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Kumbaro gjithashtu kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga Policia Bashkiake dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) në çdo rast kur konstatohet shkelje e kësaj hapësire publike.
Ky mesazh vjen në një moment kur intensiteti i sezonit turistik është në rritje dhe pushuesit janë gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj mënyrës se si menaxhohet hapësira publike në plazhe.
©️zërionline


