Mbrëmja e kaluar solli në Durrës një nga ato përjetime që qëndrojnë gjatë në kujtesë: muzikë klasike, dritë hëne dhe një amfiteatër antik që u mbush me emocion dhe duartrokitje. Nën kupolën e qiellit të hapur dhe në gjurmët e mijëra viteve histori, Orkestra e Harqeve “Aleksandër Moisiu” ngjiti në skenën e lashtë një koncert të paharrueshëm, një udhëtim përmes tingujve të klasikëve botërorë dhe kompozitorëve shqiptarë.
Të pranishmit shijuan pjesë të përzgjedhura nga kompozitore të njohur si Tchaikovsky, Elgar dhe Bernstein, ndërsa emocioni kulmoi me premierën e veprës “Vals Fantazi”, krijuar nga kompozitori durrsak Ylli Ramzoti, një emër që prej vitesh kontribuon në skenën muzikore shqiptare, i cili ishte i pranishem teksa orkestra ekzekutoi veprwn e tij.
Dirigjenti Grid Kalaja e përshkroi koncertin si një “kombinim të pasur të klasikëve ndërkombëtarë me krijimtarinë shqiptare, përfshirë edhe përpunime të veçanta të këngëve tradicionale.”
Mbrëmja u pasurua edhe nga performanca e mezzosopranos Olta Juba, e cila solli një këngë arbëreshe të orkestruar nga instrumentisti i njohur durrsak Moni Kuriçi, i njohur dhe për përpunimin e muzikës shqiptare për orkestra.
“Për ne është një mbrëmje e veçantë. Muzika klasike ka gjetur vendin ideal për të rrëfyer historinë e saj: këtu, në këtë amfiteatër ku çdo gur ka një histori”, tha Alketa Tragaj, drejtuese e Qendrës Kulturore të Durrësit.
Edhe pse ky repertor është konceptuar për ambiente të mbyllura, interpretimi në Amfiteater, i shoqëruar nga pesha e historisë dhe yjet e verws, krijuan një atmosferë te bukur, ku muzika dhe arti takohen me traditën, historinë dhe shpirtin e qytetit.
©️zërionline


