Një vizitë e papritur dhe krejtësisht e papublikuar paraprakisht ka tërhequr vëmendjen në qytetin bregdetar të Vlorës. Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit amerikan Donald Trump, së bashku me bashkëshortin e saj Jared Kushner dhe tre fëmijët e tyre, kanë vizituar gjirin e Vlorës me një jaht luksoz.
Pas një lundrimi panoramik në ujërat e qeta të Adriatikut, familja ka zbritur në qytet dhe ka darkuar në një prej restoranteve të njohura buzë detit. Sipas shefit të kuzhinës Aldo Mehmeti, vizita e tyre u paralajmërua nga persona që i kërkuan stafit të përgatisnin një tavolinë të madhe për vizitorë “VIP”.
“Na thanë se do të kishim disa klientë të rëndësishëm, pa dhënë shumë detaje. Ata preferuan pjatat me prodhime deti, por nuk munguan edhe specialitetet tradicionale shqiptare”, tha Mehmetaj.
Ivanka Trump dhe familja e saj qëndruan për disa orë në ambientet e restorantit, ku shijuan jo vetëm ushqimin, por edhe pamjen e mrekullueshme të perëndimit të diellit mbi ishullin e Sazanit.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se mbi 100 forca sigurie ishin vendosur në gadishmëri gjatë gjithë kohës, duke garantuar sigurinë dhe duke survejuar zonën përmes rrugëve tokësore dhe detare.
Pas darkës dhe disa fotografive me sfondin spektakolar të Vlorës në perëndim, familja Trump-Kushner është larguar sërish me mjetin e tyre lundrues, duke e përfunduar vizitën e shkurtër, por mbresëlënëse në Shqipëri.

Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë shpenzuar më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë për një nga ishujt e fundit të pashfrytëzuar në Mesdhe, ishullin e Sazanit, i njohur më së shumti për rolin e tij si bazë ushtarake sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë. Tani, ai pritet të shndërrohet në një destinacion të turizmit ultraluksoz, pasi të jenë pastruar mjetet e pashpërthyera.
©️zërionline


