Supermeni, një nga figurat më të dashura të kulturës pop, u krijua jo nga fantazia, por nga një humbje e thellë. Pas ikonës me pelerinë fshihet historia e dhimbshme e Jerry Siegel, një adoleshent që humbi babanë në rrethana tragjike dhe kërkoi ngushëllim në letër.
Ishte viti 1932 kur babai i Jerry-t u vra gjatë një grabitjeje në dyqanin e tij të vogël. Askush nuk erdhi ta shpëtonte, nuk pati asnjë hero. Ngjarja tronditi jetën e djalit 17-vjeçar dhe një natë më vonë, i mbyllur në dhomën e tij, Jerry nisi të shkruante. Ai krijoi një figurë të pazakontë. Një burrë të pathyeshëm, që mbronte të pafajshmit, një hero që ai vetë nuk e pati në momentin kur kishte më shumë nevojë.
Bashkë me mikun e tij Joe Shuster, Jerry ndërtoi profilin e Supermenit, një alien me fuqi mbinjerëzore, që vinte në ndihmë të njerëzve. Por rruga drejt suksesit ishte e mbushur me refuzime. Për vite të tëra, dy miqtë e rinj trokitën në çdo derë të botuesve, duke hequr dorë nga ushqimi vetëm për të dërguar me postë propozimet e tyre.

Kur më në fund një botues pranoi ta publikonte Supermenin, të dy morën vetëm 130 dollarë në këmbim të të drejtave të plota të personazhit. Një shumë qesharake për krijimin e një prej superheroëve më të famshëm në histori.
Ndërsa Supermeni u kthye në një simbol global, autorët e tij u lanë në harresë. Jerry dhe Joe përballuan varfëri dhe depresion, ndërkohë që DC Comics ndërtonte një perandori mbi kurrizin e tyre. Ata luftuan për dekada për njohjen e autorësisë dhe të drejtave që u takonin.
Vetëm në vitet 1970, pas më shumë se 40 vitesh betejë, kompania u ofroi atyre një pension modest dhe filloi t’i njohë publikisht si krijues të Supermenit. Por për Joe Shuster-in, ishte tepër vonë. Ai tashmë ishte i verbër dhe jetonte në varfëri.
Pas buzëqeshjes së një superheroi, fshihej një tragjedi njerëzore.
“Askush nuk sheh njeriun që e nxori heroin nga dhimbja,” do të shprehej më vonë Jerry Siegel. “Të gjithë e shohin Supermenin. Askush nuk e sheh djalin që shpiku një shpëtimtar, sepse vetë kishte humbur të vetin.”
Një histori që dëshmon se shpesh, heronjtë e vërtetë nuk mbajnë pelerina dhe nuk kërkojnë duartrokitje.
©️zërionline


