Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka vendosur të mbajë në fuqi masën e sigurimit ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Durrës, Hazbi Lika, i cili akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.Vendimi është marrë më 28 qershor nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, i cili konfirmoi vlefshmërinë e masës së sigurimit penal, duke vlerësuar se janë respektuar të gjitha kushtet e nevojshme ligjore për zbatimin e saj, në përputhje me nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.Sipas vendimit, pezullimi nga detyra i të pandehurit Lika konsiderohet i domosdoshëm për mbarëvajtjen e hetimeve, për të shmangur ndikimin e tij të mundshëm në procesin hetimor apo te vartësit në institucionin që drejtonte. Masa ndaluese është vendosur pas verifikimeve paraprake të Prokurorisë, që dyshon se Hazbi Lika ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës në ushtrimin e funksioneve të tij si drejtues i arsimit në qarkun e Durrësit.Në vendimin e tij, gjyqtari Bekteshi theksoi se pezullimi nga detyra do të vazhdojë të jetë në fuqi, në përputhje me nenin 242 të K.Pr.Penale, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës ose ndonjë ndryshim të rrethanave ligjore që do të justifikonte heqjen e masës.Ndërkohë, hetimet për çështjen ndaj Hazbi Likës janë në vijim nga organi i akuzës, i cili pritet të qartësojë me detaje praktikat apo vendimet e dyshuara si të paligjshme që kanë çuar në këtë akuzë.
©️zërionline


