Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri pasditen e sotme në zonën e Shkafanes në Ishëm të Durrësit. Plagosja erdhi pas një konflikti që dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:45 dhe ka vënë në lëvizje menjëherë shërbimet e Policisë së Durrësit.
Sipas burimeve zyrtare, shtetasi A. D., 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në drejtim të bashkëmoshatarit të tij, Mateo Jeshili duke e lënë këtë të fundit të plagosur. I dëmtuari është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, arriti të identifikojë autorin e dyshuar dhe një bashkëpunëtor të tij, shtetasin R. A. Të dy janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pista kryesore e hetimeve mbetet konflikti banal mes palëve.
©️zërionline


