Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme të shfrytëzimit për prostitucion. Pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive, Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Kavajë kanë zhvilluar operacionin e koduar “Baza”, në përfundim të të cilit u zbulua një apartament i përdorur si bazë prostitucioni në zonën e Qerretit, Kavajë.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë dy shtetase kineze, të identifikuara si C. Y., 42 vjeçe, dhe Y. Sh., 41 vjeçe, të dyshuara për ushtrim të veprimtarisë së paligjshme të prostitucionit. Të dyja kishin hyrë në Shqipëri si turiste, por hetimet zbuluan se qëndrimi i tyre në vend kishte qëllime të tjera.
Sipas Policisë, dy gratë kishin marrë me qira një apartament në Qerret dhe, përmes rrjeteve sociale, reklamonin shërbime seksuale duke siguruar klientë me pagesa që varionin nga 80 deri në 200 euro për seancë.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 6 shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan para në euro dhe dollarë si dhe dy telefona celularë, të cilët dyshohet se janë përdorur për komunikim me klientët.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për vijimin e mëtejshëm të hetimeve. Ndërkohë, Policia e Shtetit bën me dije se operacionet për goditjen e rasteve të prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore do të vijojnë pa ndërprerje.
©️zërionline


