Administrata vendore në Durrës po përjeton një lëkundje të fortë në themelet e saj. Me një urdhër të prerë, të gjithë drejtorët e bashkisë, drejtuesit e njësive administrative, si dhe krerët e institucioneve vartëse e rajonale, janë urdhëruar të dorëzojnë dorëheqjen me shkrim brenda ditës. Kjo lëvizje e paprecedentë vjen si pasojë e kërkesës së Kryeministrit Edi Rama një ditë më parë, ku ai bëri thirrje për një rifreskim të menjëhershëm të strukturave drejtuese në nivel vendor.
Në zbatim të kësaj kërkese, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila mban edhe detyrën e drejtueses politike të qarkut, ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjet me shkrim nga të gjithë drejtuesit. Ajo do të drejtojë një komision të posaçëm së bashku me deputetet Klodiana Spahiu dhe Milva Ekonomi për të vlerësuar performancën e drejtuesve, aktualë që pas dorëheqjes do të jenë në dispozicion, dhe për të propozuar emrat e rinj. Edhe pjesa tjetër e deputetëve të listës së mbyllur mund të angazhohet në proces. Komisioni pritet të përfundojë punën e tij brenda muajit korrik.
Sipas burimeve nga brenda administratës, për një pjesë të mirë të drejtorëve dorëheqja duhej të ishte dhënë më parë. Performanca e dobët, mungesa e rezultateve konkrete dhe keqmenaxhimi i sektorëve janë ndër arsyet kryesore që kanë çuar në këtë vendim të Ramës që mund të ishte kryer më parë nga vetë Sako, mbi bazën e vlerësimit të punës së secilit drejtues. Jo të paktë janë edhe ata drejtues që kanë pasur probleme me drejtësinë, akuza konkrete dhe procedime penale, por që kanë vijuar të qëndrojnë në poste përmes mbështetjes politike, numrit të votave që sjellin, ose rrjeteve të brendshme të ndikimit.
Në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, disa prej tyre janë vlerësuar negativisht për dëm ekonomik dhe mungesë transparence në menaxhim. Megjithatë, në vend të ndëshkimit apo largimit, shumë prej këtyre drejtuesve kanë vijuar të mbajnë poste të rëndësishme, shpesh duke shfaqur arrogancë dhe ndjenjë paprekshmërie. Sipas burimeve, strukturat e drejtuara prej tyre janë kthyer në mekanizma të ngadaltë, të pabesueshëm dhe të shkëputur nga nevojat reale të qytetarëve.
Në anën tjetër, ka edhe zëra kritikë ndaj kësaj lëvizjeje. Disa drejtues e kanë cilësuar mënyrën dhe kërkesën për dorëheqje si të padrejtë dhe demoralizuese, veçanërisht ata që pretendojnë se kanë treguar përkushtim dhe rezultate pozitive në punën e tyre.
Nga ky riorganizim nuk preken vetëm drejtori i Policisë së Qarkut, Vilson Bala, dhe drejtori i Spitalit Rajonal, Renis Mullaj, ky i fundit i emëruar vetëm pak javë më parë.
Përtej largimeve, mbetet pezull zbatimi i një prej kërkesave kyçe të kryeministrit, lirimi i hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme. Sot nuk është shënuar asnjë aksion në terren dhe pse u deklarua se aksioni do të vazhdojë. Institucionet duket se ndodhen në një fazë pritjeje dhe paqartësie.
Kjo ndërhyrje e thellë nga qeveria shenjon një nga spastrimet më të mëdha të administratës lokale në vitet e fundit. Pyetja që mbetet është: a do të sjellë kjo lëvizje ndryshimin e shumëpritur në cilësinë e shërbimeve dhe në funksionimin e administratës? Sepse kur strukturat zhyten në batakun e paaftësisë dhe indiferencës, një dorë e fortë mund të jetë e nevojshme për të kthyer rrjedhën. Por gjithçka do të varet nga emrat që do të pasojnë dhe vullneti për të bërë realisht një ndryshim.
©️zërionline


