Policia i arreston, gjykata i liron.
Dy shtetaset kineze, përkatësisht 41 dhe 42 vjeçe, të cilat u arrestuan në flagrancë nga policia në një apartament të marrë me qira në zonën bregdetare, janë lënë të lira nga gjykata, pavarësisht akuzës për ushtrim prostitucioni.
Gratë kineze u kapën fundjavën e kaluar teksa ushtronin aktivitetin e paligjshëm në një ambient të përshtatur për shërbime seksuale me pagesë, ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza për veprën penale “Prostitucioni”, e parashikuar nga neni 113/1 i Kodit Penal.
Pas paraqitjes në gjykatë, trupa gjykuese, gjyqtari Arbër Çela, ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë, por ka vendosur të mos aplikojë masën e paraburgimit, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, një herë në dy muaj, çdo të premte. Në përfundim të seancës, gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të dy grave, nëse ato nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Ndërkohë, procedimi penal nga policia u zgjerua dhe me hetimin në gjendje të lirë ndaj gjashtë shtetasve shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë qenë klientë të rregullt të grave kineze.
Rasti ndodhi në kulmin e sezonit turistik, në plazh, ndërsa policia po intensifikon kontrollet ndaj aktiviteteve të paligjshme që shfrytëzojnë bregdetin dhe apartamentet me qira për qëllime kriminale.
©️zërionline


