Policia e Durrësit ka intensifikuar kontrollet në terren për ndotjen akustike në zonat turistike të qytetit bregdetar, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit veror.
Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë, në zbatim të Planit të Masave për sezonin turistik, kanë ngritur grupe të posaçme kontrolli për të monitoruar nivelin e zhurmave që gjenerohen nga muzika në subjekte të ndryshme që operojnë në bregdet.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli është kryer mbi bazën e një hartëzimi të zonave më problematike për ndotjen akustike, ndërsa matjet janë realizuar me paisje të posaçme (matës zhurme), në ambiente të hapura dhe të mbyllura, kryesisht në zona të frekuentuara nga turistët.
Rezultatet e testimeve treguan se niveli i zhurmës ishte brenda kufijve të lejuar, sipas ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar, si dhe në përputhje me standardet teknike të përcaktuara për këtë qëllim.
Përveç matjeve akustike, policia ka kryer edhe kontrolle për respektimin e orarit të lejuar për muzikë në ambiente të hapura në zonat e banuara, i cili, sipas ligjit, është i kufizuar nga ora 11:00 paradite deri në orën 24:00.
Në funksion të parandalimit dhe ndërgjegjësimit, uniformat blu kanë zhvilluar edhe takime informuese me persona fizikë dhe përfaqësues të bizneseve, për t’i informuar mbi detyrimet ligjore që lidhen me ndotjen akustike dhe oraret e aktivitetit muzikor.
Policia e Durrësit thekson se do të vijojë kontrollet në mënyrë të pandërprerë, për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët dhe pushuesit.
“Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast shkeljeje të rregullave mbi zhurmat, duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat tona”, thuhet në njoftimin e policisë.
©️zërionline


