Më 22 korrik njerëzimi shënon Ditën Botërore të Trurit, një nismë e Federatës Botërore të Neurologjisë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit të trurit dhe sfidat që paraqesin sëmundjet neurologjike. Slogani i këtij viti është “Mbrojtja e trurit në çdo moshë”, një thirrje për të vepruar në çdo etapë të jetës, që nga faza e hershme e zhvillimit në barkun e nënës, deri në pleqëri.
Në një intervistë për Ditën Botërore të Trurit, shefja e Shërbimit të Neurologjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit, dr. Edlira Harizi Shemsi, theksoi se shëndeti i trurit nuk është një çështje që duhet trajtuar vetëm kur shfaqen simptomat, por një proces i përhershëm që fillon që nga momenti i konceptimit.

“Ne duhet ta mbrojmë trurin qëkur ai nis të konceptohet tek fetusi, duke mbështetur një shtatzëni të shëndetshme për nënën, pa stres, pa substanca narkotike, pa alkool dhe me një dietë të mirë. Po ashtu, gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, institucione si çerdhet, kopshtet dhe shkollat, krahas familjes duhet të luajnë rol aktiv për të mbrojtur shëndetin e trurit”, u shpreh neurologia Harizi.
Sipas saj, jeta moderne ka sjellë një sërë faktorësh që dëmtojnë sistemin nervor, si stresi kronik, izolimi social, përdorimi i tepërt i teknologjisë, mungesa e gjumit, si edhe përdorimi i alkoolit dhe drogës. Këta faktorë ndikojnë negativisht në shëndetin mendor dhe neurologjik të individëve në të gjitha moshat.
Rritja e sëmundjeve neurologjike dhe ndikimi i Covid-19
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se sëmundjet neurologjike janë ndër shkaqet kryesore të paaftësisë dhe vdekshmërisë në nivel global. Edhe në Durrës është vënë re një rritje e ndjeshme e rasteve me çrregullime neurologjike, veçanërisht pas periudhës së pandemisë.

“Pas Covid-it kemi parë shtim të sëmundjeve degjenerative si demenca, epilepsia dhe çrregullimet e kujtesës. Një ndër fenomenet e shpeshta është edhe i ashtuquajturi ‘foggy brain’, një mjegullim mendor, i trurit që ndjek shumë pacientë pas kalimit të Covid”, thekson dr. Harizi.
Ajo shton se ndërhyrja e hershme, kontrolli mjekësor i rregullt dhe monitorimi i pacientëve me histori familjare të sëmundjeve neurologjike mund të bëjnë diferencën mes një jetese normale dhe komplikacioneve të rënda.
“Ne nuk mund të ndryshojmë gjenetikën tonë, por nëse në familje ka histori të sëmundjeve neurologjike, kontrolli i hershëm është thelbësor. Check-up, ndjekja e simptomave të para dhe trajtimi në kohë parandalojnë përkeqësimin”, vijon neurologia.
Kujdesi për trurin: Një nevojë, jo një luks
Mjekët e specializuar theksojnë se kujdesi për trurin nuk është luks, por një nevojë themelore që kërkon vëmendjen e të gjithëve, individëve, familjeve dhe veçanërisht institucioneve që ofrojnë kujdes shëndetësor dhe social. Mosha e tretë, për shembull, përballet me sfida të veçanta, si vetmia dhe demenca, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje dhe mbështetje të vazhdueshme dhe shteti nuk duhet të qëndrojë indiferent, pasi kostot janë të larta.
Në këtë Ditë Botërore të Trurit, mesazhi është i qartë. Truri është qendra e gjithë veprimtarisë sonë jetësore, nga emocionet dhe kujtesa, deri te aftësia për të marrë vendime dhe për të mbijetuar. Të kujdesemi për të nuk është vetëm përgjegjësi individuale, por një investim i përbashkët për një shoqëri më të shëndetshme dhe më funksionale.
V. Q.
©️zërionline


