Zjarri që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj në Shijak, është vënë pjesërisht nën kontroll, ndërsa situata mbetet ende problematike. Aktualisht, zona e Shetelit është e mbyllur, sipas shefit të SHMZ-së dhe forcat ndodhen në terren, mes Shetelit dhe Eminasit, për të mbajtur nën vëzhgim çdo zhvillim të mundshëm.
Helikopteri ndërkohë vijon operacionet për shuarjen e flakëve, por përqendrimi më i madh është në zonën e Kucit, ku ende ka disa vatra aktive që përbëjnë rrezik të shtuar për përhapje të mëtejshme.
Ndërkohë, policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të zjarrit që u përhap në pyjet e fshatit Shetel dhe që rrezikoi banesat përreth. Ibrahim Biba, 58 vjeç, banor i këtij fshati, u kap në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas veprimeve të shpejta hetimore nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak.
Sipas hetimeve, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, ai ka djegur mbeturina në tokën e tij, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore. Fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse dhe e Policisë ka shmangur përfshirjen e banesave.
Ndaj 58-vjeçarit rëndon akuza për “Shkatërrimin me zjarr të pyjeve ose të mjedisit pyjor”, parashikuar nga neni 206/a i Kodit Penal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit përsërit thirrjen për qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo mbetjeve bujqësore, si dhe të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura në afërsi të sipërfaqeve pyjore, duke qenë se një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të rënda për mjedisin dhe jetën e banorëve.
©️zërionline


