Takimi i shumëpritur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, i zhvilluar më 15 gusht në Anchorage të Alaskës, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete mbi luftën në Ukrainë. Samiti, i cili u organizua me protokoll të lartë dhe ngjarje të bujshme ceremoniale, u cilësua nga shumica e mediave ndërkombëtare si një fitore simbolike për Kremlinin dhe një shfaqje imazhi për Trump, pa rezultate të prekshme politike.


Reuters raportoi se pavarësisht bisedimeve të gjata dhe deklaratave të përgjithshme mbi “produktiven e diskutimeve”, nuk u arrit asnjë marrëveshje për armëpushim apo për të hapur një rrugë drejt paqes. “Associated Press” vuri në dukje se liderët shmangën pyetjet e gazetarëve dhe u mjaftuan me një fotografi përfundimtare, ndërsa premtuan se do të vijonin dialogun “në të ardhmen”.
Nga ana e saj, “The Guardian” theksoi se Putin arriti një fitore të dukshme në aspektin e imazhit publik, duke u paraqitur si partner i barabartë në skenën ndërkombëtare dhe duke marrë një mirëseardhje të ngrohtë në SHBA. Ndërkohë, Ukraina u la jashtë tryezës, një element që shumë analistë e quajtën shqetësues për të ardhmen e konfliktit.
Edhe “Time Magazine” e cilësoi takimin si një moment ku Rusia përfitoi në mënyrë të dukshme nga hapësira diplomatike, ndërsa Trump nuk arriti të sigurojë ndonjë rezultat të prekshëm që të bindë opinionin publik amerikan se diplomacia e tij mund të japë fryte konkrete.
Pasojat strategjike
Analistët paralajmërojnë se ky samit mund të interpretohet si një hap drejt normalizimit të pozitës ndërkombëtare të Rusisë, pa ndonjë kusht të qartë për uljen e agresionit në Ukrainë. Për BE-në dhe Kievin, kjo është një shenjë shqetësuese se çështja ukrainase po rrezikon të zbehet nga vëmendja ndërkombëtare, ndërsa Putin po fiton terren diplomatik.
Samiti i Alaskës, megjithëse i shoqëruar me shumë ceremoni, e la të hapur pyetjen kryesore: a mund të sjellë realisht një takim i tillë zgjidhje për luftën në Ukrainë, apo ishte vetëm një shfaqje për imazhin e dy liderëve? Për momentin, përgjigja e mediave botërore është e qartë, më shumë formë sesa përmbajtje.
©️zërionline


