Në Portin e Durrësit ka nisur fluksi i largimeve drejt porteve italiane të Barit dhe Ankonës. Pas pushimeve në Shqipëri, shumë anëtarë të diasporës, por edhe turistë të huaj që zgjodhën vendin tonë për të kaluar verën, po kthehen në vendet e tyre. Mes udhëtarëve ka edhe shqiptarë që lëvizin drejt Italisë për arsye pune apo familjare.
Sipas të dhënave zyrtare nga porti i Durrësit, vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, nga e mërkura 13 gusht deri të dielën, 17 gusht, janë përpunuar në hyrje dhe dalje 39 mijë e 742 pasagjerë dhe 11 mijë e 679 automje.
E shtuna rezultoi dita më e ngarkuar, me mbi 7 mijë udhëtarë që u larguan vetëm në një ditë,ndërsa dita më e ngarkuar në mbërritje ishte 15 gushti me 3161 pasagjerë. Në total, gjatë kësaj periudhe, nga Durrësi drejt Italisë udhëtuan 25 mijë e 849 pasagjerë dhe 7 mijë e 392 mjete. Në të njëjtën kohë, në vend hynë 13 mijë e 893 persona dhe 4 mijë e 287 automjete.
Një emigrante në Itali, jo pa keqardhje për mbarimin e pushimeve tha për ZO:
“Erdhëm për pushime dy javë, për të parë familjen dhe për të pushuar pak. Tani po kthehemi sepse na presin puna dhe shkolla e fëmijëve.”
Një turist italian pak para imbarkimit në traget tha:
“Kalova një verë shumë të bukur në Shqipëri, bregdeti ishte fantastik, po duhen më shumë kosha mbetjesh. Edhe ushqimi. Sigurisht do të kthehem përsëri vitin tjetër.”
“Kam ardhur për të parë prindërit në fshat. Shumë shqiptarë si unë e bëjnë këtë rrugë çdo verë. Shpresoj që vitin tjetër të kemi më shumë linja”, u shpreh një shqiptar që jeton në Trieste.
Fluksi i lëvizjeve pritet të mbetet i lartë edhe gjatë javëve të ardhshme, teksa përfundon sezoni i pushimeve dhe mijëra qytetarë rikthehen drejt vendeve ku jetojnë e punojnë.
©️zërionline


