Nga qelia e paraburgimit, ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar me dhembje për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit Artur Zheji. Në mesazhin e tij, të ndarë në rrjetin social Facebook, Meta e cilëson Zhejin si një intelektual të angazhuar, që u shqua për mbrojtjen e pavarësisë së medias, vlerave të lirisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës.
“Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit profesionist dhe analistit brilant, Artur Zheji. Një mik dhe një profesionist që humbi jetën në mënyrë kaq të papritur, në kulmin e pjekurisë jetësore dhe profesionale. Një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për komunitetin e gazetarëve, me të cilët ndaj ngushëllimet e mia më të sinqerta”, shkruan Meta.
Ai nënvizon edhe rolin e Zhejit si bashkëkryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, ku dha, sipas tij, një kontribut të paharruar politik e shoqëror, që do të kujtohet gjithmonë me respekt.
“E paharruar do të mbetet vepra dhe kujtimi i tij. U prehtë në paqen e merituar”, përfundon mesazhi i ish-presidentit.
©️zërionline


